Loading...

“Asgjë e re në frontin e opozitës”/Po përgatitet për humbjen e radhës, Presidenti po bën gjënë e duhur

Kryeministri Edi Rama deklaroi se opozita po përgatitet për humbjen e radhës dhe po bën atë që bën para çdo humbjeje, duke iu referuar këtu deklaratave të saj, të cilat i cilësoi si të pavërteta.

“Nuk ka asgjë të re në frontin e opozitës e opozita vazhdon të bëjë të njëjtat gjëra që ka bërë para çdo humbjeje dhe po përgatitet për humbjen e radhës”, deklaroi Rama mbrëmjen e sotme i ftuar në një nga studiot televizive.

Publiku, u shpreh Rama, nuk merret me tendera e nuk ka asgjë të dyshimtë para syve të tij, sepse publiku nuk studion dokumentet e tenderave.

“Publikut i vihen para syve fakte të sajuara, fabrikuara e të keqinterpretuara me qëllim. Kjo është një kohë lufte, kur të gjithë duhet të jemi bashkë. Ka një kohë për të bërë luftën dhe ka një kohë për të berë hesapet.Patjetër edhe për të bërë edhe gjyqet. Unë nuk them që ata duhet të heqin dorë nga monitorimi, por faktikisht duke parë ato që ata kanë thënë rezulton se janë gënjeshtra të diskretituara bazuar në fakte të thjeshta. Kur thua se janë blerë maska të skaduara që në 2014 dhe rezulton se kanë afat skadence në vitin 2023, kjo është në letër dhe nuk është diçka për të bërë interpretime. Apo kur thua që ky material është blerë kaq dhe rezulton në letra se është blerë sa gjysma, këto janë gënjeshtra”,tha kryeministri.

Sa i përket propozimeve të opozitës, Rama tha se “mendoj që ka humbur deri tani një mundësi të artë për të bërë detyrën karshi atdheut dhe për të ngritur stekën e nivelit të vet. është e vetmja opozitë nga të gjitha ato që kam ndjekur, pasi ndjek shumë shtete menjëherë se çfarë bëjnë qeveritë dhe opozitat. Kjo është e vetmja opozitë ku flet për çuarje prapa hekurave, për dosje në prokurori, korrupsion me tendera, lloj- lloj broçkulash. Sepse i është dhënë mundësia që përpara se të bëjë këto shfaqje të bëjë diçka tjetër, të marrë informacion dhe për të qenë pjesë e një tryeze. Opozita nuk i është përgjigjur sfidës së madhe. Por së paku Presidenti po bën gjënë e duhur”.

Sa i takon rolit të Presidentit, Kryeministri tha se “në këtë situatë së paku nuk e kemi patur atë që kishim më parë dhe do të kishin nëse edhe presidenti do të ishte në të njëjtat pozita që është opozita dhe kjo nuk është shumë po nuk është pak”.

I pyetur nëse vazhdonte luftën politike, pasi vetë Presidenti ishte shprehur se lufta politike më Kryeministrin vazhdon, Rama tha se “ka patur vetëm një moment lufte politike me Ilir Metën, kur ka qenë i detyruar ti tregoj vendin, kur ishte periudha kur kërkonin votën për mandat të dytë”.

“Pas asaj, sinqerisht nuk jam marrë më dhe nuk më ka interesuar më të harxhoj energji. Të gjitha situatat e kanë shqetësuar grupin tonë parlamentar, unë thjeshtë kam bërë një pjesë të vogël të detyrës që më takon brenda atij grupi parlamentar”.

Sa i takon shkarkimit të Presidentit, Rama tha se është çështje e Parlamentit dhe jo e tij./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com