28 prilli njihet si Dita Botërore e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë e shërben si një fushatë ndërgjegjësimi me qëllim përqendrimin e vëmendjes ndërkombëtare mbi tendencat e reja në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë si dhe rëndësinë e problemeve të lidhura me lëndimet, sëmundjet dhe vdekjet në mbarë botën.
28 prilli është gjithashtu një ditë, në të cilën sindikatat në botë përkujtojnë dhe nderojnë kujtimin e viktimave të aksidenteve dhe sëmundjeve në punë. Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë është një pjesë integrale e Strategjisë Globale mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë e drejtuar nga ILO, e cila promovon krijimin e një sigurie globale parandaluese dhe të një kulture shëndetësore me përfshirjen e të gjithë aktorëve. Në këtë datë, në shumë vende të botës, autoritetet kombëtare, sindikatat, organizatat e sigurisë dhe të shëndetit në punë dhe punëdhënësit, organizojnë aktivitete të shumta.
Sipas statistikave çdo vit në Bashkimin Europian, më shumë se 5500 njerëz humbin jetën e tyre si pasojë e aksidenteve në vendin e punës. Është shumë e vështirë që të përcaktosh ndikimin e sëmundjeve profesionale ndaj shëndetit dhe për këtë çështje nuk ka asnjë konsensus të të dhënave.
Megjithatë, vlerësimet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) sugjerojnë se 159 000 njerëz në BE çdo vit vdesin si rezultat i sëmundjeve profesionale. Kompani të ndryshme në vende të BE-së, humbin rreth 143 milionë ditë pune çdo vit nga aksidentet në punë.
Vlerësimet janë të ndryshme, por aksidente të tilla dhe shëndeti i keq i kushtojnë ekonomisë së BE-së të paktën 490 miliard Euro në vit. Parashikimi i risqeve, zbatimi i masave efektive të sigurisë dhe ndjekja në vazhdimësi me rigorozitet e tyre janë të rëndësishme për reduktimin e këtyre shifrave.
Çdo vit, më shumë se dy milionë gra dhe burra vdesin si rezultat i aksidenteve dhe sëmundjeve të lidhura me vendin e punës. Punëtorët vuajnë afërsisht një humbje prej 270 milionë euro çdo vit të lidhura më aksidentet dhe 160 milionë të tjera të lidhura me incidentet dhe sëmundjet po në vendin e punës. Substanca të rrezikshme vrasin 440.000 punëtorë në vit – asbesti merr 100.000 jetë në vit. Një punëtor vdes çdo 15 sekonda në mbarë botën./atsh