Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se duke nisur që nga dita e premte pezullohen për 30 ditë të gjitha udhëtimet nga Evropa, me përjashtim të atyre nga Britania e Madhe.
Trump nëpërmjet një transmetimi nga Zyra Ovale, iu drejtua popullit të tij lidhur me masat që SHBA-ja ka marrë kundër epidemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
“Bashkimi Europian dështoi në marrjen e masave të nevojshme”, tha Trump duke tërhequr vëmendjen se virusi u transmetua në SHBA nëpërmjet personave të ardhur nga këto vende.
“Për të parandaluar hyrjen e rasteve të reja në territorin tonë, pezullojmë të gjitha udhëtimet nga Europa në SHBA duke filluar që nga dita e premte. Këto kufizime do të rregullohen sipas situatës në terren”, tha Trump.
Më tej Trump tha se këto kufizime nuk do të preknin tregtinë dhe transportin kargo dhe gjithashtu Britania e Madhe do të përjashtohej nga ky zbatim.
Trump njoftoi se janë duke ndjekur edhe situatën në Kinë dhe në Korenë e Jugut dhe në rast të përmirësimit të situatës së tyre mund të rivlerësojnë masat e marra kundër këtyre vendeve./ atsh