Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko sjell historinë e shtetasit shqiptar i cili jeton në Bergamo, Bajron Nikolla i cili rrëfen situatën e tmerrshme që po kalon Italia për shkak të koronavirusit.
Nikolla ka ndarë situatën reale të asaj çka po ndodh sot në Itali, ndaj u bën apel shqiptarëve që të mos bëjnë gabimet e Italianëve, të cilër nuk qëndruan në shtëpi dhe nuk e morën seriozisht virusin vdekjeprurës.
Ai rrëfen se shifrat e njerëzve që po vdesin në Itali, janë shumë më të larta se ato që transmetohen, pasi një pjesë e njerëzve vdesin në shtëpi dhe nuk llogariten në protokoll.
“Njerëzit po vdesin, një numër shumë i madh. Numrat që ju shikoni prej televizori nuk janë ata, janë akoma më shumë sepse njerëzit që vdesin në shtëpi dhe vdesin pa një test të koronavirusit, për protokoll nuk numërohen të vdekur prej koronavirusit kështu që të vdekurit janë shumë më shumë. Shpresoj shumë dhe uroj që të mos e shikoni këtë gjendje ku jam unë. Këtu ku jam unë, në Bergamo, ka spitale më të mirë të Europës, është plot me spitale dhe sot nuk ka më vende nëpër spitale. Thirret ambulanca dhe nuk vjen askush, ndoshta vjen pas 10 orëve dhe kur të vijë, vjen këtu, e ngarkojnë në ambulancë dhe e risjellin sërisht në shtëpi sepse nuk ka vende. Është një gjendje e jashtëzakonshme.
Ai u bën thirrje shqiptarëve që të mos bëjnë gabimet që u bënë në Itali.
“Ju lutem, mos bëni gabimet që u bënë këtu. Të gjithë e nënvlerësuam, të gjithë u bëmë me nerva kur na mbyllën palestrat, kur na mbyllën kafenetë. Sot, pas një muaji po vjen kulmi dhe shpresoj të jetë kulmi sa më shpejt dhe të kthehet gjendja normale. Ky virus vret. Ky virus vret edhe të rinjtë. Kanë vdekur 46 vjeç, 36 vjeç, 23 vjeç, janë në terapi intensive shumë të rinj, me tuba në fyt për të marrë frymë.
Njerëzit që ikin nëpër spitale nuk kanë më asnjë kontakt me të afërmit. Vdesin dhe të afërmve u vjen vetëm një telefonatë që ka vdekur dhe i grumbullojnë të gjithë së bashku. Nuk ka më vend as në varreza. Kështu që ju lutem shumë, nëse nuk qëndroni në shtëpi, ju mund të jeni shkaku që mund të përhapni virusin për një vend të tërë. Mund të jeni ura që mund të krijoni një horror të paprecedent, vdesin njerëzit nga të gjitha anët, nuk mund t’i bëni as varrimin. Ndaj ju lutem, qëndroni në shtëpi. Është një luftë që mund t’a luftojmë në mënyrën më të mirë. Edhe për njerëzit që janë në vështirësi ekonomike, ndihmojini. Mendoni edhe për të tjerët. Është një luftë që mund të fitohet nëse jemi të gjithë së bashku”, përfundon Nikolla/atsh