Loading...

Prindërit në shtëpi të kujdesen për fëmijët, shërbimet vetëm online. Puna e një pjese të administratës nga shtëpia me kompjuter

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, për masa të tjera për parandalimin e koronaviruesit, Kryeministri Edi Rama tha se “është e domosdoshme të kufizojmë lëvizjet duke marrë një sërë masash për kufizimin e lëvizjes, si puna nga shtëpia e një pjesë të administratës, leje pushimi nënat me fëmijë në kopshte e çerdhe, si dhe mbyllja e shërbimit ADISA dhe shërbimet do merren online, apo kufizimi i vizitave në spitale”.

Në fjalën e tij, Rama tha se është e domosdoshme të kufizojmë lëvizjet, lëvizje që në jetën e përditshme janë të nevojshme, por që nuk janë jetike dhe sot është një luftë për të mbrojtur jetën e çdo kujt rreth nesh.

“Nuk mund dot të shkojmë në klub dhe t’ja sjellim koronën gjyshes apo gjyshi. Nuk mund dot të shkojmë në palestër dhe t’ja sjellim sëmundjen, bashkëshortes shtatzënë. Nuk është një luftë që do zgjasë me vite por është një luftë që çdo minut është sa një vit. Kërkon vullnet dhe disiplinë në një të përditshme të reduktuar”, tha ai.

Për këto arsye, Rama theksoi se “nga dita e nesërme do çojmë në shtëpi të gjithë atë pjesë të administratës që mund të vazhdojë të punojë përmes kompjuterit, që bën punë zyre që kanë kompjuter dhe zakonisht bënë atë punë”.

Po ashtu, Rama tha se “për këtë arsye ne nga nesër nuk do të japim më shërbime dhe për sportelet për të gjithë aplikimet online. Për këtë arsye nesër shërbimi i ADISA mbyllet dhe të gjitha shërbimet do të merren online”.

Gjithashtu, Rama tha se “për këtë arsye të gjithë prindërve që kanë një fëmijë në moshën e çerdhes, kopshtit apo arsimit bazë, dhe që nuk janë në këtë pjesë të administratës që do të shkojnë nga shtëpia për të punuar nga shtëpia ne do t’i japim menjëherë leje për të shkuar në shtëpi dhe mbajtur fëmijë për të kufizuar kontaktet me të tjerët”.

Rama tha se do të përballemi me seriozitet me dinjitet duke kontribuuar për familjen për njëri-tjetrin dhe shoqërinë.

“Nuk do të lejojmë të shkojnë pranë spitaleve jo vetëm ata që janë të afër të sëmurëve por edhe ata të cilën në ditë të zakonshme nisen drejt spitalit për të parë njëherë se mos kanë ndonjë gjë, jo. Konsulta në spital do të bëhet sipas skenarit dhe planifikimit për gjendjen e luftës”, tha ai./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com