Një mesazh sensibilizimi u ka mbërritur në numrat e tyre të telefonit dhe në adresat e banesës, personave që kanë udhëtuar gjatë 14 ditëve të fundit në zonat e prekura nga koronavirusi i ri, apo COVID-19.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar mesazhin që u është dërguar shtetasve të cilët kanë udhëtuar nga Italia drejt Shqipërisë gjatë 14 ditëve të fundit.
“Policia e Shtetit ka identifikuar të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë hyrë nga Italia në 14 ditët e fundit. Pasi ka disponuar numrat e telefonit dhe adresat e tyre po vazhdon operacionin e posaçëm të sensibilizimit dhe monitorimit të tyre. Bashkëngjitur është mesazhi që u është dërguar këtyre qytetarëve dhe do të vijojnë trokitjet në dyert e tyre për t’u siguruar se po zbatojnë detyrimin e vetëkarantinimit 14-ditor. Ndjesë 1000 herë, po kjo është luftë dhe ndryshe nuk fitohet! Frikë aspak, kujdes po!” – thekson Rama./atsh