Presidenti Ilir Meta ka uruar sot në Ditën Ndërkombëtare të 8 marsit gratë shqiptare.
“Një urim të përzemërt për më të shtrenjtat, më të dashurat dhe të pazëvendësueshmet e familjeve tona, për çdo nënë, grua, vajzë e motër shqiptare: Gëzuar 8 marsin! Sot është vetëm një ditë simbolike, por e gjithë jeta e marrë së bashku nuk do mjaftonte për t’ju shprehur me përulje mirënjohjen më të pakufishme për dashurinë, përkushtimin dhe sakrificat e jashtëzakonshme për familjen e ngrohtë, shoqërinë e zhvilluar dhe begatinë e vendit”, shprehet presidenti Meta në urimin e tij.
“Fuqizimi i vajzave dhe grave i bën sfidat më të lehta! Por ne ende kemi një hendek të rëndësishëm për të kapërcyer për t’i vënë përgjithmonë në histori vargjet e Çajupit, i cili protestonte ndaj burrave. Shqipëria do të bëhet një vend edhe më i bukur, vetëm me vajza e gra të lumtura e të realizuara në çdo aspekt, të barabarta me burrin si në jetën publike ashtu edhe atë profesionale, dhe që nuk keqpërdoren nga politika. Duhet të çlirojmë potencialet e vërteta dhe të plota të vajzave dhe grave të Shqipërisë, që të ndalim shpopullimin e Atdheut dhe degradimin e familjes. Lidershipi i tyre do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet e shkëlqyeshme dhe frymëzuese për fëmijët dhe të rinjtë tanë”, tha ai.
“Një falenderim të veçantë kam sot edhe për dhjetëra mijëra nëna, gra dhe të reja, të cilat ju bashkuan më 2 mars Pranverës Kuqezi, duke i dhënë me energjinë dhe vitalitetin e tyre më shumë forcë zërit të sovranit”, përfundoi Presidenti urimin e tij./atsh