Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko u bën apel qytetarëve të jenë të duruar dhe të respektojnë udhëzimet e lëshuara nga institucionet shtetërore.
Majko shprehet se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën emergjencën kombëtare! Bota ka hyrë në një periudhë gri, ku e padukshmja është bërë e dukshme, me statistikat e njerëzve që po humbin jetën! Kjo që po ndodh është një përballje e jetës me një situatë virusale globale për të cilën parashikimet janë kontradiktore. Kjo situatë nuk është çështje ditësh! Filloni të mendoni për organizimin e jetës së përditshme në rrethanat e krijuara. Mos u “lodhni” nga e përditshmja e ndryshuar! Kjo është provë për cilindo dhe jo një situatë që mund të kalohet me “sportivitet”!
“Në Itali para 3 javësh kishte 16 të prekur, sot mbi 15 000 ku lëvizja dhe komunikimi rezultoi shkaktari kryesor i përhapjes, çka po çon në bllokimin e sistemit shëndetësor! Këshillat e shkollës fillore tani rikthehen për cilindo për ajrosjen e rregullt të ambientit ku jeton, për larjen e duarve dhe ndihmën ndaj të moshuarve që të mos dalin dhe të zerojnë kontaktet jashtë ambientit ku banojnë! Mos dil e mos lëviz, pa një prej arsyeve të domosdoshme të njoftuara nga Udhëzimet Zyrtare (Për Leje: [email protected]). Ul në zero frekuentimin e zonave publike, grumbullime me shumë njerëz, kafe dhe lokale! Lejohet të shkosh në Farmacinë, Ushqimoren më të afërt, duke shmangur ecjen afër personave të tjerë, me maskë e me doreza, në radhë duke respektuar distancën jo nën 2 m nga personi tjetër!
“Trajto me përgjegjshmëri çdo sjellje tënden që ndikon te higjiena e të tjerëve, në shtëpi, pallat, lagje, ambient të mbyllur! Shpëtohen jetë duke kufizuar lëvizjen dhe mundësitë e transferimit, përcjelljes, përhapjes së virusit që mund të jetë kudo pa e kuptuar por që shkakton pasoja të ndryshme në persona, mosha, gjendje shëndetësore të ndryshme, deri në 3-8% edhe me pasoja fatale! Telefono 127! Për nevoja reale, urgjenca, policia telefono numrin 112! Kjo do të jetë një betejë që zgjat! Ajo fillon nga vetja! Durim dhe kurajo!”, shprehet ai. /atsh