Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka shprehur sot mirënjohjen për mjekët që janë në repartin e karantinës jo vetëm në Shqipëri, por që shërbejnë edhe në vende të tjera të Europës.
Duke sjellë një rast të mjekjes shqiptare që është në karantinë në një vend europian, Kryemadhi shprehet se “kjo është doktoresha Silva Ruli Shameti, mjeke dhe mike e mirë që unë e dua shumë, e cila prej 3 javësh po shërben pa pushim në repartin e karantinës të spitalit të San Marino-s. Mendimet tona shkojnë jo vetëm për të, por për të gjithë mjekët shqiptarë që punojnë jashtë”.
“Ata sot i ofrojnë siguri qytetarëve evropianë, por edhe pse në karantinë duke luftuar vetë me virusin, mendjen dhe shpirtin e kanë të lidhur me situatën në Shqipëri, për familjarët, miqtë e kolegët e tyre këtu”, tha ajo.
Po ashtu Kryemadhi shton se “falenderimet dhe lutjet tona shkojnë edhe për të gjithe mjekët tanë që punojnë këtu në kushte shumë më të pafavorshme se kolegët e tyre në Evropë. Për mjekët e Shqipërisë nuk mjaftojnë vetëm duartroktijet e orës 17:30, por të lutemi për shëndetin e tyre mëngjes, drekë, darkë, e në çdo kohë të shpresojmë që ata e familjarët e tyre të gjejnë forcën, për të përballuar ditët e vështira që kemi përpara. Zoti i bekoftë sakrificat tuaja!”/atsh