“Në ditën më tragjike të gjeneratës sonë më 26 nëntor kryeministri Edi Rama i bëri thirrje industrisë së turizmit për të sistemuar dhe akomoduar të prekurit nga tërmeti. Ishte një thirrje e përgjegjshme nën përgjegjësinë e detyrës për të akomoduar mijëra qytetarë të cilët u gjendën në tragjedinë e 26 nëntorit”.
Kështu deklaroi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste.
Klosi tha se, “po ashtu ishte njohja e thellë e kryeministrit tonë e mazhorancës tonë për një industri të tërë të krijuar në këto vite, për një fuqi të madhe ekonomike që janë hotelierët shqiptarë, turizmi shqiptarë, administrata e këtyre strukturave të cilët kuptuan në datën 26 nëntor se legjenda i thirri përsëri. Ajo legjendë e madhe shqiptarëve, ajo që është shkruar dhe në Kanun se “shtëpia e shqiptarit i takon mikut dhe Zotit”. Në datën 26 në kufijtë e legjendës, ndodhi mrekullia 6 mijë qytetarë të tmerruar që mbetën pa çati e pa ashtu të trembur nga lëkundjet e tokës gjetën strehim në një industri e cila sot ka gjithë nevojën e nevojshme dhe kërkesën e vazhdueshme për të qenë e mbështetur për të paraqitur në Shqipëri një ekonomi të re e cila prodhon shumë më tepër të ardhura dhe punësim”.
“Kjo politikë nuk është një politikë që ndodhi në muajt e fundit po është një politikë e qartë e ndërtuar që në ditën e parë kur Edi Rama dhe kjo mazhorancë erdhën në pushtet. Në vitin 2013 orientuam qartë një politikë premtuese për të ndërtuar në Shqipëri një ekonomi të re”-, u shpreh Klosi.
“Në 4 vite në mandatin e parë punuam shumë me reforma të mëdha, me reforma territoriale, me reformën e ndryshimit komplet në energji, infrastrukturë, rend për të patur mundësinë që në këtë mandat të dytë çdo ditë të flasim për turizmin. Në këtë mandat të dytë ndërtojmë kudo në Shqipëri një destinacion me hotele të reja, investime të reja. Një destinacion që nuk i shkon vetëm ndërtuesve të hoteleve të mëdha por i shkon mijëra njerëzve të thjeshtë”, përfundoi Klosi./atsh