Infermierja shqiptare, Ornela, së bashku me tre koleget e saj nga Kolumbia, Afrika dhe Italia, ishin sot në faqen e parë të përditshmes italiane, “La Republica”.
Gazeta italiane i ka kushtuar një artikull falënderues dhe vlerësues shqiptares dhe vendeve të ndryshme që janë sensibilizuar me situatën e rëndë që ka prekur Italinë për shkak të pandemisë COVID 19, ku vetëm në Itali kanë humbur jetën mbi 10 000 persona.
Sipas gazetës në fjalë, Ornela është në mesin e katër grave që së bashku përbëjnë një ekip të palodhur, vendosur në dhomën e urgjencës ku vijnë dhjetëra ambulanca çdo ditë.
“Katër gra nga e gjithë bota për një qëllim: të ndihmojnë pacientet e COVID-19 në spitalin e Cremona. Protagonistë të kësaj fotoje janë Bea, Ornela, Iolanda dhe Chiara”, thekson “La Repubblica”.
Shqipëria ka dërguar dy ditë më parë 30 mjekë dhe infermierë në Breshia, një nga zonat më të prekura nga COVID 19, në shenjë solidariteti./atsh