Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nesër, edhe fasonët dhe kompanitë Call Center do ta kenë të ndaluar të qarkullojnë punonjësit e tyre, duhet të jenë të mbyllur, ndërsa nga fillimi i javës së ardhshme do të fillojnë inspektimet për garantimin e standardeve të sigurisë”.
Kryeministri Rama iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve të shumtë lidhur me ecurinë punës në ndërmarrjet fasone dhe kompanitë Call Center.
“Po ju shpjegoj edhe njëherë standardet e thjeshta të sigurisë që nëse nuk garantohen do të marrim masa drastike që do të bien drejtpërdrejt në shpatullat e pronarëve. Duhet ta harrojnë se do të kërkojnë nga shteti para për shkak të mbylljes. Kjo është një mbyllje që nuk vjen si rezultat i kërkesës së shtetit në kohë të zakonshme, por si rezultat i zbatimit të rregullave dhe mosvënia në jetë e këshillave është papërgjegjshmëri që nuk do të shpërblehet në asnjë formë por përkundrazi do të ndëshkohet”, tha Rama.
Kryeministri sqaroi se “në asnjë vend, as në Itali edhe sot që flasim nuk është ndaluar aktiviteti prodhues”. Rama citoi qarkoren më të fundit të qeverisë italiane lidhur me fabrikat, aktivitetin prodhues sipas së cilës: “në kompanitë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mjedise prodhimi duhet të garantohet përdorimi maksimal nga shtëpia ose në distancë, për atë pjesë të punës që edhe fasonët mund ta japin për t’u bërë nga shtëpia”.
Po ashtu, sipas Ramës, qarkorja e qeverisë italiane kërkon: “të pezullohen të gjitha aktivitetet e departamenteve të kompanisë që nuk janë të domosdoshme për prodhimin, të merren protokollet e sigurisë kundër infektimit dhe kur nuk është e mundur të respektohet distanca, të bëhen shkurtimet e nevojshme brenda atij mjedisi, si dhe të dezinfektohen vendet e punës”.
Rama tha se “kjo nuk do të thotë se Italia apo edhe ne, po bëjmë ndarje klasash apo trajtim diskriminues për ata që punojnë në Call Center dhe fason”.
“Ne mbyllim bare, restorante, lokale, shmangim kontakte dhe grumbullime në të gjitha territoret dhe hapësirat ku nuk ka një sistem direkt kontrollues, një shef apo një numër të caktuar punonjësish”, tha ai./atsh