Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se “2 javët e ardhshme do të na tregojnë shkallën e agresivitetit të koronavirusit në gjithë territorin e Shqipërisë”.
Rama tha se “rritja e numrave do të vijojë dhe sot nuk e kemi dot përgjigjen se sa lart do të ngjitet kurba, por çka po bëjmë bashkërisht është e vetmja rrugë për ta penguar rritjen, nuk ka ilaç tjetër dhe këtë do të vazhdojmë të bëjmë”.
“Duhet ta marrim me qetësi dhe kokëfortësi, të stërvitemi për një luftë që nuk do të jetë e shkurtër me zakonet tona të përditshme që na cimbisin në çdo moment. Nuk kemi parë gjë akoma dhe kjo pa asnjë shaka”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se testin e koronavirusit nuk mund ta bëjë kushdo, apo ata që kanë shenja të lehta gripi, por vetëm ata që kanë shenja të dukshme”.
“Ka nga ata që marrin madje 127 duke kërkuar me insistim të bëjnë testin se kanë ardhur nga Italia apo kanë takuar dikë që ka ardhur nga Italia. Ky nuk është një kriter për t’u shqetësuar dhe bërë testin. 80% nuk do ndiejnë asgjë dhe nuk kanë për ta marrë vesh kurrë nëse morën po jo koronën”, tha Rama.
Por sipas tij, “secili prej nesh do të sillet njësoj sikur ta ketë virusin dhe prandaj duhet të ruaj të tjerë pavarësisht se mund të ndihen shumë mirë”.
“Nuk mjaftojnë disa shenja gripi për t’u alarmuar dhe bërë testin. Shpallja e pandemisë nga OBSH përcakton edhe kriteret bazë të marrjes së testit që lidhen me një gjendje më të vështirë se sa ajo e simptomave të lehta gripale”, tha Rama.
Ndërkohë, ai theksoi se nuk e dimë se “deri kur do të vazhdojmë t’u nënshtrohemi masave shtrënguese për qarkullimin me makinë, por këtë nuk e dimë dhe askush, askund në botë nuk e di”.
“Sa më shumë të shtrëngohemi sot aq më shumë e kemi bërë tonën përballë këtij armiku që vjen bashkë me të panjohura tepër të mëdha. Prandaj durim dhe shumë kujdes. Mos harroni se 80% e atyre që kanë simptoma e kalojnë me sukses ditën, duke ndenjur në shtëpi”, tha Rama./atsh