Të moshuarit që paguanin 700 dollarë më parë për lentet e syve, nuk kanë më nevojë të marrin rrugën drejt Tiranës, ndërsa sot ata e kanë falas këtë shërbim në Vlorë.
Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, vizituan sot spitalin e Vlorës, ku investimet në infrastrukturë dhe mjekë të specializuar mundësojnë shumë shërbime, që nuk ofroheshin më parë, me kushte dhe standarde të kualifikuara.
“Në spitalin rajonal, ku investimet e vazhdueshme në infrastrukturë dhe plotësimi i nevojave me mjekë të specializuar (si në çdo spital të vendit tanimë), mundësojnë sot shumë shërbime që nuk ofroheshin më parë dhe me kushte të mira e standarde profesionale të sigurta. Edhe pacientët me tumore nuk vijnë më në Tiranë për trajtimin siç bënin deri dje, por sot e marrin shërbimin në Vlorë”, u shpreh Kryeministri Rama.
Ministrja Manastirliu duke shpjeguar punën që është bërë në këtë spital theksoi se, “aktualisht kemi zgjeruar shërbimin e kimioterapisë në këtë spital”.
“Rritja e financimit për shëndetësinë, është e influencuar gjithashtu në rritjen e volumit të barnave citostatike, pra për trajtime me kimiopreparate. Vetë mjekët onkologë në spitale ofrojnë shumë më shumë terapi mjekimi se ç’kanë ofruar mbi të gjitha mbulojnë shumë sëmundje tumorale, të cilat deri dje nuk trajtoheshin në spitale”, tha ministrja.
Kryeministri vizitoi pacientët, të cilët u shprehën se janë të gjitha medikamentet.
Manastirliu u shpreh se, “kemi bërë një përmirësim radikal në trajtimin e sëmundjeve tumorale edhe me barna të terapive të shtrenjta dhe kështu kemi mbuluar jo vetëm sëmundjen e gjirit me Herceptinën, por edhe sëmundjet malinje të gjakut nëpërmjet marrëveshjeve kuadër që kemi lidhur dhe nëpërmjet rritjes së numrit të barnave që ofrojmë me rimbursim për mbulimin e terapive në luftën kundër tumoreve, por gjithashtu edhe për sa i përket të gjithë paketës që ne ofrojmë në spitale. Në barnat bazë, në preparatet bazë nuk ka asnjë mungesë’.
Kryeministri Rama gjithashtu takoi edhe mjekët e rinj që ofrojnë shërbimet e tyre në spitalin e Vlorës, por gjithashtu disa prej tyre edhe në spitalin e Fierit.
Kryeministri Rama vizitoi edhe mjekët që kryejnë ekzaminimet për lentet e syve.
Manastirliu u shpreh se çdo vit në Vlorë po shtojmë shërbime që nuk ofroheshin më parë, apo që paguheshin siç është paketa e lenteve.
Drejtoresha e Spitalit të Vlorës u shpreh se bëhen 250-300 operacione lentesh në vit dhe që dalin me sukses.
Një tjetër pacient tha se më kishin rekomanduar të shkoja në Tiranë me 350 euro për këtë operacion, po unë s’e përballoja dot. Por, kryeministri i tha se s’ka më nevojë për 350 euro, tani është falas.
Një tjetër paciente tha se mjekët janë sjellë shumë mirë dhe asnjë nuk ka kërkuar lekë.
Kryeministri vizitoi edhe centralin e sterilizimit në spitalin e Vlorës.
Manastirliu u shpreh se është një central modern, investim që i gjithi do t’i mbetet shtetit dhe që s’do kishim pasur mundësi ta bënim nëse s’do të kishim bërë këtë partneritet.
Kryeministri është ndalur edhe tek ata persona që akuzojnë qeverinë për vjedhje me koncesionet duke thënë se këto janë të pavërteta.
“E vetmja gjë që kemi bërë gabim është që nuk kemi bërë në këto spitale një muzeum të vogël si ishin pseudo sterilizatorët dhe si ishin instrumentet. Se populli dëgjon këto llafet e rrugëve dhe të politikës së rrugës që që PPP-ja, PPP-ja, vjedhja, vjedhja, korrupsioni, korrupsioni. Ja ku i keni dhe të gjitha këto janë të financuara nga privati. Nuk janë investuar nga shteti. Sepse shteti nuk ka pasur mundësi ta bëjë këtë sepse po të kishte pasur do ta kishin bërë ata të mençurit që na sulmojnë ndërkohë që kishin 30 vjet në dorë ta bënin. Shteti merr shërbimin që e ofron falas për qytetarët se nuk i kemi thënë pacientëve meqë ka instrumente të reja, nxirr lekë nga xhepi dhe paguan vit pas viti shlyen këtë investim. Në fund janë të shtetit pajisjet” tha Rama.
“Nuk është vetëm vegla është çdo proces pune, që nga larja, sterilizimi që është i përditshëm, pastaj janë veshjet që janë një përdorimshe. Ne e dimë sesi kanë qenë, mbulohej shtrati i pacientit me çarçaf, mbuloheshin instrumentet me çarçaf dhe futeshin në autoklavë, që ishin jo vetëm të vjetra, por nuk siguronin sterilitet. Infeksionet spitalore kanë qenë 30,2%, kanë rënë, janë përgjysmuar. Ndërkohë që është ulur ditëqëndrimi, është rritur optimizimi i sallës. Ndërkohë që sot mund të kryhen më shumë ndërhyrje pa lista të gjata pritjeje”./atsh