Loading...

Basha i pandehur për falsifikim/ Braçe: Vendimi i 2 prokurorëve i turpshëm, nxitim për ta mbyllur para ngritjes së SPAK

Zëvendëskryeministri Erjon Braçe tha sot, në reagimin e tij për marrjen të pandehur të Lulzim Bashës për falsifikim në çështjen e lobimit në SHBA, se shkresa që mban firmën e dy prokurorëve Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha është e turpshme. Shkresa së cilës i referohet ai, liron nga akuza kryesore liderin e PD-së në dosjen që pritet t’i shkojë Gjykatës. Zv.kryeministri Brace shprehet se ata vetë kanë pastruar me këtë akt plot 625 mijë dollarë.

“Po 625 mijë dollarë nga dolën??!! Koli, Kloli, Tani, Toni, Tela, Lela, me lejen tuaj, a mund të flasë për këto paratë? Duken shumë para. Duhet folur, apo jo? Atëherë, vendimi i sotëm i dy prokurorëve është qesharak, i turpshëm dhe i neveritshëm! Prokurorët nuk kanë hetuar, nuk kanë bërë as aq sa kanë bërë gazetarët në Shqipëri, SHBA e Skoci! Dy prokurorët janë përdorur mu ashtu sic thotë PD në traktin e saj, për të pastruar imazhin e Lylzim Bashës dhe partisë së tij nga një krim që ia bën mu,” shprehet Braçe.

Ai shton më tej se gjitha kjo është bërë për t’i shpëtuar SPAK-ut, nga ai që Braçe e quan përmbaruesi i punëve të pista të qeverisë së mëparshme, ku bënte pjesë edhe Lulzim Basha.

“E kanë bërë tani me nxitim, para ngritjes së Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit, lëndë e së cilës kjo çështje është, për ta mbyllur, varrosur, sic i varrosën “Kalimashin”, “Levan-Tepelenën” e “Levan-Vlorën”, vrasjet e 21 Janarit dhe shitjen e detit, të gjitha krime të parashikuara në ligj, por të pandëshkuara kurrë prej prokurorëve e gjykatësve të tij. Përmbaruesi i punëve të ndyra të Lylzim Bashës, një ish zyrtar i korruptuar i qeverive ku ai ishte pjesë, ia doli sërish,” shprehet zëvendëskryeministri.

Më tej ai thotë se prokurorët pranojnë se Lylzim Basha ka falsifikuar formularin e shpenzimeve në KQZ, por nuk kanë hetuar shpenzimet e PD deklaruar nga kompania nën kontratë me PD në SHBA dhe as dëshminë e Nik Muzin.

“Pyetja ishte dhe është, nga dolën 625 mijë dollarë që Nik Muzin ka deklaruar të paguara nga PD ne SHBA? Prokurorët as kanë marrë deklaratat, as kanë numëruar paratë, as kanë hetuar për burimin e tyre. Thonë që ka falsifikuar formularin, por nuk thonë për sa para bëhet fjalë. Nuk thonë as cili është burimi i parave. Ato para janë paguar, janë deklaruar të paguara në SHBA! Prokurorët me vendimin e tyre thjesht i kanë “pastruar” sot, sic Lylzim Basha ka kërkuar. Turp e faqja e zezë! Nuk i hidhni dot hi syve kujt. Çështja është shumë e thjeshtë, e bërë fije-fije si krim publikisht, kudo,” shprehet Braçe. /a.sh./

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com