Loading...

Pishinë olimpike e parkim nëntokësor/ Leli: “Lungomare 2”, ndryshim rrënjësor i faqes turistike të Vlorës

Projekti “Lungomare 2″ është prezantuar sot nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, që sipas tij, është vazhdim i ndryshimit rrënjësor të faqes turistike të Vlorës.

Me një gjatësi 1,3 km ky projekt, që është zgjatim i shëtitores “Lungomare 1”, përveç hapësirave për qytetarët, Leli thekson se do t’i japë zgjidhje edhe problematikës së parkimeve me ndërtimin e një parkingu dykatësh nëntokësor, i cili parashikon 160 vende.

“Sapo kemi filluar nga fushat e sportit, aty ku mbaron projekti aktual i Lungomares në drejtim të tunelit dhe vazhdimi i projektit të ri që do tu prezantojmë sot nga zona e tunelit në drejtim të Radhimës, në tre kilometrat e para janë vazhdim i ndryshimit rrënjësor të faqes turistike të Vlorës. Në zonën nga fushat e sportit deri në drejtim të tunelit, në atë që ka qenë plazhi i kryetarit, do të ketë pishinë olimpike për qytetarët që sipas studimeve të deritanishme do të jetë një pishinë me ujë deti, një pishinë për fëmijët, do të ketë plazh të dedikuar për të gjithë qytetarët e Vlorës”, deklaroi kryebashkiaku Leli.

Leli tha se do të miratohet kompensimi për të gjitha objektet që preken dhe që disponojnë dokumentacion të rregullt.

“Ato që prishen përgjatë rrugës nga tuneli deri në Orikum janë sot objekte pa asnjë lloj dokumentacioni. Për objektet e tjera që kanë dokumente, absolutisht do të ndiqen të gjitha procedurat sipas ligjeve të shtetit shqiptar për shpronësime, në momentin që do të ketë raste, apo për çdo lloj dëmshpërblimi që lidhet me pronat e këtyre qytetarëve”, u shpreh ai.

Financimi i projektit nga Uji i Ftohtë ku përfundon aktualisht Lungomare, deri te tuneli shkon në vlerën 4 milionë euro. /a.sh/ /a.g/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com