Që nga fillimi i këtij viti numri i jahteve që kanë vizituar Durrësin ka arritur në 378, thuajse i njëjti numër me atë të jahteve që mbërritën në Durrës gjatë gjithë vitit 2018.
Pjesa më e madhe janë ankoruar në kalatën 4, e sistemuar enkas për anijet turistike.
Vetëm të hënën paradite në portin e Durrësit u ankoruan tre jahte luksozë me gjatësi nga 50 deri në 74 metra. Dy prej tyre mbërritën nga porti i Splitit, ndërsa i treti nga një port i Greqisë.
Burime nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual, bëjnë të ditur se jahtet “Planet nine”, “Mogambo” dhe “Power play”, me gjatësi përkatësisht 74 mt, 62 mt dhe 50 mt, janë vendosur në kalatat 4 dhe 5 pranë katër jahteve të tjerë me përmasa të vogla, që mbërritën në portin më të madh të vendit fundjavën e kaluar.
Përveç shërbimeve portuale, turistët dhe personeli i jahteve kanë vizituar qendrat arkeologjike të qytetit tonë. Koha e qëndrimit të jahteve turistike në kalatat e Terminalit perëndimor shkon deri në 10 ditë./k.s/