Loading...

Aeroporti i Vlorës, Rama: Më i madh dhe me standarde më të larta se i Tiranës

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në Vlorë, projektin për ndërtimin e aeroportit të ri të Vlorës, i cili do të jetë 3,2 kilometra i gjatë dhe 60 metra i gjerë.

Ky aeroport do të ketë tri shtylla kryesore: Aviacionin Civil, Cargo-n e tregtisë së mallrave dhe mirëmbajtja e avionëve.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, theksoi se aeroporti i Vlorës do të jetë më i madh se i Tiranës dhe do jetë shumë herë më shumë me standarde se ai i Rinasit.

“Më vjen shumë mirë që ne sot, kemi praktikisht gati projektin e aeroportit. Paraqitja e bërë këtu ishte një paraqitje e përmbledhur e imazhit të aeroportit, por projekti është shumë voluminoz i cili faktikisht është i gatshëm për t’u marrë në dorë nga ndërtuesi dhe për të filluar ndërtimin”, – tha Rama.

“Dua të vë theksin te një fakt që besoj është i rëndësishëm. Deri para pak vitesh, ky aeroport ishte një ëndërr shumë e hershme dhe një premtim i përsëritur rëndom në fushata elektorale, por askush nuk e besonte vërtetë se mund të vinte dita që Vlora do kishte aeroportin e saj ndërkombëtar”, – shtoi ai.

“Kjo, sepse konteksti ishte shumë i vështirë dhe ajo që unë vetë e kam kaluar si eksperiencë është që nuk kishte asnjë interes, nuk kishte investitorë apo kompani të interesuar dhe faktikisht, përpjekja e parë u bë si rezultat i një le të themi gatishmërie nga ana e qeverisë turke për të na ndihmuar, jo për arsye komerciale, por thjesht për të na dhënë një dorë për ta ndërtuar këtë aeroport”, – vijoi Rama.

“Ne u përpoqëm të gjejmë një marrëveshje me konsorciumin që erdhi në Shqipëri, që bëri vizitat e nevojshme, hartoi një projekt financiar dhe pas një negociate shumë të gjatë nuk gjetëm pikat e duhura të afrimitetit për një marrëveshje të favorshme të dyanshme, duke nisur nga kërkesat e konsorciumit se për çfarë duhet të garantonte shteti, dhe këto ishin kërkesa jashtë mundësive tona. Kjo në një kontekst ku Vlora nuk kishte marrë imazhin që ka sot dhe ku Shqipëria nuk ishte në kontekstin ku është sot në aspektin e turizmit”, – theksoi Kryeministri.

“Vlora nuk është më ajo që ishte disa vite më parë, një qytet ku edhe për vetë ata që banonin, kishin vështirësi të hynin për të shkuar në shtëpitë e tyre dhe jo më pas për të tërhequr investime të konsiderueshme deri dhe një aeroport ndërkombëtar. Patjetër, ajo që ka ndodhur me Vlorën është një histori e njohur dhe e pranuar nga të gjithë. Por, kjo nuk është fundi, por fillimi e një historie transformimi, pasi veprat e realizuara do të pasohen nga të tjera investimet dhe paralelisht me gjithë zhvillimin e akseve kryesore të sektorëve që transformojnë qytetin, duke nisur nga infrastruktura, hoteleria… etj”, – tha Rama.

“Do përpiqemi të intensifikojmë punët edhe brendapërbrenda qytetit. Unë marr shumë mesazhe nga zona e padurimit vlonjat, ku të gjithë thonë se mirë kjo e ajo është bërë, por shiko në çfarë lagje jetoj unë. Jam dakord që ka dhe lagje, zona, të cilat duhet investuar dhe i gjithë qyteti duhet të kthehet në një zonë të mikpritjes. Por sot për sot nuk është e mundur që shtëpitë në lagje të caktuara të shërbejnë për turistët, kur gjenden në kontekste antituristike, por për të ndërhyrë te kjo duhet koha e caktuar për investim. Kështu që paralelisht, ne duhet t’i bëjmë të dyja, infrastrukturën qendrore dhe atë në zonat brenda qytetit, te kjo e fundit puna i takon kryetarit të Bashkisë”, – tha Rama.

Duke folur për investimet, Kryeministri tha se “së shpejti do fillojmë pjesën e Lungomares me pikën ku është sot deri te tuneli, më pas nga tuneli deri në Orikum, e më pas drejt Llogorasë, ku ministrja po punon për tunelin e Llogorasë dhe mundësisht dhe për një marrëveshje me investitorë të mundshëm për tunelin e Llogorasë, pasi jo të gjithë kanë dëshirën të ngjiten në mal për të kaluar matanë në det”, – tha Rama.

“Më pas do ketë investime të vijimit të Lungomares te zona e Pyllit të Sodës dhe gjithashtu investimi tek porti, që do marrë formën e portit turistik. Por normalisht, qendra më e rëndësishme e gravitetit të zhvillimit është aeroporti ndërkombëtar, dhe ne sot e shohim që edhe për këtë ka jo pak shprehje interesi, aq sa dhe po shkruajnë në gazeta të huaja se kush është interesuar apo kush e ka marrë”, – tha Rama.

“Ama e vërteta është që ne akoma jemi në një proces diskutimit të brendshëm që do e mbyllim brenda pak javëve se si do funksionojmë. Tani që kemi projektin kemi opsionin e marrjes së një kompanie ndërkombëtare për ndërtimin e këtij aeroporti dhe më pas menaxhimin e tij, ose të nisim vetë investimin, pasi kemi përcaktuar në buxhet për të nisur punën për ndërtimin e aeroportit dhe pastaj për të kaluar në një garë ndërkombëtare për operimin, pasi shtetet nuk operojnë aeroporte. Vendimin do ta marrim së shpejti, duke parë se sa shprehje interesi real do të kemi, dhe se sa ky interes do i përgjigjet ambicies sonë për të hapur një garë, që i përgjigjet interesit të qeverisë sonë, se sa i takon ambicies së vlonjatëve nuk kapet ajo”, – theksoi Rama.

“Tani e di, që kur të mbarojmë takimin, do kem një mesazh, duke hyrë në Tiranë do më vijë një mesazh, ku është aeroporti, që natyrisht do kohën e tij. Prandaj duhet të kemi parasysh se nuk është vetëm aeroportit turistik, ku vetëm gjatë sezonit të verës duhet të ulen e ngrihen avionët gjatë periudhës së verës. Unë kam qenë kundra kësaj, pasi mendoj se aeroporti i Vlorës duhet të jetë shumë më shumë se kaq, pasi mendoj se Vlora duhet të ketë një aeroport shumë më të madh se aeroporti i Tiranës dhe me më shumë funksione se ai i Tiranës, me një standard shumë herë më të madh se aeroporti i Tiranës. Jo se Vlora është më e rëndësishme se Tirana, kjo nuk diskutohet, pasi Vlora është më e rëndësishme edhe se Nju-Jorku, Berlini, Parisi…”, – tha Rama. /a.g/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com