Eksportet e produkteve bujqësore shqiptare po konkurrojnë në tregjet e huaja me cilësinë dhe çmimet e ulëta në krahasim me prodhimet bujqësore të vendeve të tjera të rajonit, por edhe Europës.
Ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shprehen për ATSH-në, se domatet shqiptare eksportohen në vendet europiane dhe të rajonit, sidomos Serbi, me çmim mesatar më të ulët se çmimi i 20 eksportuesve më të mëdhenj në botë. Ndërkohë që Italia është vendi më i shtrenjtë për eksportin e domateve mes vendeve më të mëdha eksportuese.
Sipas ekspertëve një arsye tjetër e kërkesës së shtuar të tregjeve të huaja, për domatet shqiptare është edhe cilësia e eksportit.
Shqipëria, në pjesën dërrmuese eksporton për subjekte të ndërmjetme që i përdorin për t’i përpunuar nëpër konserva në formë salce.
Në vitin 2018 Shqipëria arriti të eksportonte plot 30 milionë dollarë domate, pothuajse ekskluzivisht në vende të Bashkimit Europian. Sot në vendin tonë janë rreth 1500 ha serra në gjithë territorin e vendit që kanë produktet e para domate që dalin shpejt në treg.
Ndërsa ulja e TVSH-së për inputet bujqësore, dhe politikat lehtësuese fiskale dhe mbështetja me financime ka rritur interesin për të prodhuar produkte bujqësore cilësore dhe në sasi në rritje. e.xh/j.p/