Shkëmbim më efikas i informacionit midis strukturave inteligjente, bashkëpunim kundër trafiqeve të paligjshëm, lehtësim dhe thjeshtëzim i lëvizjes së pasagjerëve dhe mallrave.
Këto ishin temat kryesore që diskutuan gjatë një takimi bilateral Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, Arlind Gjokuta, me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Greke, Kostandinos Mourtidis.
Gjatë këtij takimi, i cili u zhvillua në qytetin e Gjirokastrës, dy homologët diskutuan mbi rritjen e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit të informacioneve, që ndikon shumë në sigurinë e të dy vendeve, si dhe të eksperiencave për të përmirësuar punën e Administratave Doganore.
Drejtori i Doganave Shqiptare, Gjokuta, e njohu homologun grek me disa nga arritjet e administratës që ai drejton, si në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, atyre të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike, kontrollit të flukseve të parasë fizike që kalon në kufi dhe kontrabandës së mallrave.
Gjatë këtij takimi u vlerësua me interes për të dy palët shkëmbimi i informacioneve dhe kryqëzimi i tranziteve që nisen nga Porti i Pireut me destinacion Shqipërinë, për të parandaluar kontrabandën. Për këtë do të ndihmojë shumë eksperienca pozitive në shkëmbimin e informacioneve dhe në kryqëzimin e tranziteve në kuadër të projektit të SEED të implementuar nga Bashkimi Europian.
Ndërkohë u dakordësua nga dy drejtuesit e Doganave respektive se ngritja dhe funksionimi i Qendrës Operacionale të Përbashkët me përfaqësues të Policisë dhe Doganave të të dy vendeve, do të shërbejë për zgjidhjen e shumë problematikave kufitare. Një marrëveshje e tillë mes dy vendeve tashmë është drejt përmbushjes.
Greqia është tashmë prej vitesh një ndër partnerët kryesorë në shkëmbimet tregtare me vendin tonë, dhe në këtë aspekt, bashkëpunimi midis administratave doganore luan një rol të rëndësishëm. /a.g/