Loading...

“Bindja Demokratike” regjistrohet në KQZ për zgjedhje, Patozi: Alternativë e re

“Bindja Demokratike”, tashmë është zyrtarisht partia më e re në Shqipëri, e cila më 30 qershor 2019 do të hyjë në garën elektorale.

Astrit Patozi zyrtarizoi partinë “Bindja Demokratike” duke e regjistruar në Gjykatën e Tiranës dhe në KQZ nga ku kanë dorëzuar edhe 1000 firma më shumë nga 3000 që kërkohen.

Fabian Topollaj dorëzoi në KQZ edhe regjistrimin e kësaj force politike për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa sot është afati i fundit i vendosur nga KQZ për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet lokale.

“Shqipëria do të ketë prej sot një parti opozitare më shumë”, thuhet në deklaratën e “Bindjes Demokratike”.

“Vendimi erdhi pas takimit të një grupi të madh nismëtarësh mbrëmjen e kaluar, ku u përcaktuan edhe hapat e para të kësaj organizate politike në rrugëtimin e saj. Nismëtarët vendosën të mandatojnë një bord të përkohshëm, i cili do të përfaqësojë partinë deri në ngritjen dhe zgjedhjen e forumeve drejtuese të saj, sipas statutit”, thuhet në njoftimin e partisë së re opozitare.

Anëtarë të këtij bordi do të jenë: Arben Skënderi, Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli, ndërsa koordinator i tij Astrit Patozi.

Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, ka theksuar se kjo parti politike ka lindur nga bindja e fortë e qytetarëve të lirë të këtij vendi për një projekt të ri politik. “Bindja Demokratike” është ide, nuk është pronë, as biznes apo njeri. Ajo ka lindur nga bindja e fortë e qytetarëve të lirë të këtij vendi për një projekt të ri politik”, – thekson Patozi.

Sipas tij, “Bindja Demokratike” është dhe do të jetë një ofertë serioze dhe tërësisht e pavarur, sa herë që të ketë zgjedhje në Shqipëri”.

“Bindja Demokratike është frymë dhe alternativë e re, në një shoqëri, ku monopoli partitokratik po vret konkurrencën dhe ka kufizuar lirinë e zgjedhjes për qytetarët. Ne jemi të bindur se Shqipëria sot po vuan pasojat e një polarizimi politik, që e ka zanafillën tek vrasja e demokracisë brenda dy partive të mëdha dhe tek konsolidimi i një sistemi mbytës, që garanton palët rivale për mosndëshkueshmëri dhe mbijetesë politike, kundër çdo projekti të ri”, – shtoi Patozi.

“Ndryshimi i sistemit dhe çlirimi i zgjedhjeve, kauza jonë, sistemi ynë politik bazohet tek garancia që dy rivalët kryesorë në vend i kanë dhënë njëri-tjetrit, për të nënshtruar çdo ide apo frymë demokratike brenda kampeve të tyre. Ilustrimi më i mirë për këtë ishte marrëveshja okulte e dy vjetëve më parë mes kryetarëve të dy partive të mëdha”, vijon ai.

Sipas Patozit, janë tre prioritetet e Bindjes Demokratike. “Bindja Demokratike i ka vendosur vetes këto objektiva afatshkurtra në rrugëtimin e saj politik: E para, vendosmëria për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sistemi politik shqiptar duhet të çlirohet nga kontrolli i dy partive të mëdha dhe nga avantazhi i frikshëm i qeverisë, sa herë shkohet për të votuar”, – shton ai. “Në këtë pikë ne mbështesim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për depolitizim të komisioneve zgjedhore dhe avancimin drejt numërimit elektronik të votave, si një mënyrë për të lehtësuar procesin nga ushtria e trafikantëve dhe pagesat e zeza, të cilat e ndryshojnë rezultatin edhe gjatë administrimit të zgjedhjeve”, – vijon Patozi.

“Ne jemi, gjithashtu, për ndryshimin e sistemit zgjedhor në një periudhë më afatgjatë, ku kandidatët të kenë mundësi të marrin mbështetje popullore dhe jo vetëm mbështetje nga kryetari i partisë. Ligji i dekriminalizimit dhe vetingu i politikanëve është një premisë pozitive për t’i mbajtur larg elementët kriminalë nga zgjedhjet dhe kjo duhet të na inkurajojë për t’i lënë më shumë hapësira shqiptarëve të zgjedhim një listë të filtruar nga politika”, – thekson ai.

“Së dyti, Bindja Demokratike identifikon si problem të madh për Shqipërinë polarizimin ekonomik dhe krijimin e një hendeku të thellë mes një shtrese të varfër dhe një grupi njerëzish të pasuruar në mënyrë abuzive. Bindja jonë është se polarizimi ekstrem ekonomik i Shqipërisë është pasojë e korrupsionit në qeverisje. Por po ashtu, ne jemi të bindur që oligarkët më të mëdhenj në vend janë politikanët më të rëndësishëm. Korrupsioni ka prodhuar një Shqipëri që ka 10 për qind milionerë dhe 90 për qind mbijetues. Kjo do të thotë se pa një betejë kundër korrupsionit politik dhe atij shtetëror vendi nuk mund të ketë kurrë barazi sociale. Së treti, vendi ka nevojë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Shqipëria nuk mund të zhvillohet duke u bazuar në ofertat e oligarkëve, por në një vizion të qëndrueshëm, që bazohet tek pasuritë kombëtare dhe mundësitë reale të shqiptarëve për t’i bërë ato efikase. Vendi duhet të ketë prioritete të zhvillimit kombëtar, që nuk duhet të ndryshojnë sipas orekseve të qeverive të kapura nga korrupsioni”, – shton ai”. /j.p/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com