Loading...

Skënderbeu faktor i rëndësishëm europian

Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, po nxit pasurimin e informacionit akademik dhe kulturor të historisë së vendit tonë gjatë mesjetës.

Gjuhëtari Emil Lafe tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “ky është një vit i tërë në të cilin po zhvillohet konferenca albanologjike me pjesëmarrjen e specialistëve dhe studiuesve nga më të shquarit të epokës së Skënderbeut dhe të vetë figurës së tij”.

Ai shtoi se “këta studiues të huaj dhe vendas paraqesin në këtë konferencë dokumentacione të panjohura, të cilat janë në arkiva të ndryshme nëpër botë, mbi rolin e Skënderbeut në hapësirën europiane të kohës”.

Profesori i gjuhësisë Lafe e konsideron Skënderbeun si faktor të rëndësishëm europian dhe si një vlerë ndërkombëtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Shqipëria e kohës së tij kanë qenë një faktor i rëndësishëm në historinë europiane të asaj kohe. Shqiptarët dhe Shqipëria janë bërë një faktor ndërkombëtar dhe emri i Skënderbeut është emri më i njohur ndër shqiptarët në të gjitha kohët, që prej kohë së tij e deri sot”, – u shpreh profesor Emil Lafe.

Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut do të mbyllet me samitin e madh të diasporës, në muajin nëntor, kur do jetë dhe seksioni i tretë i Konferencës së Albanologjisë. Në këtë muaj (nëntor) do të ketë dhe një sërë veprimtarish të mëdha. Gjithashtu do jepet “llogari” se çfarë është bërë në vitin e Skënderbeut. Të gjitha punimet do të publikohen në një moment të dytë gjatë vitit 2019.

Në këtë drejtim, qeveria ka menduar që mungesat e mëdha që ka albanologjia të jenë një lloj baze për të ngritur sa më parë një kurs për të mundësuar formimin e të rinjve në gjuhët e vjetra, arkilistik dhe paelografi, duke i dhënë frymë dhe oksigjen albanologjisë, për të ndërtuar dhe për të lënë stafetat për brezat që do vijnë. /r.e/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com