Loading...

Shkodër/ Skemë huadhënie e paligjshme, 11 në pranga

Në kuadrin e operacionit policor “Maranaj” të ndërmarrë nga Drejtoria e Policisë Vendore Shkodër nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, pas një hetimi proaktiv disamujor, siguruan prova për 19 të dyshuar, për veprat penale të “Pastrimit të Produkteve të Veprës penale”, “Ushtrim aktiviteti financiar të palicencuar”, “Shpërdorim detyre”, “Prodhim dhe Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “Moskallëzim krimi”.
Gjatë hetimit proaktiv janë krijuar dyshime të arsyeshme si dhe janë gjetur e sekuestruar prova materiale që hedhin dritë mbi aktivitetin e tyre kriminal. Sipas hetimit këta shtetas kishin krijuar një skemë dhënie huaje të parave me interesa të larta, që varionin nga 3%-20% në javë nga ana e personave të implikuar. Nëse nuk kthehej shuma e huasë, sekuestroheshin makinat dhe pronat e personave që kishin marrë huanë. Nga ky operacion u sekuestruan, toka, dyqane dhe shuma të mëdha parash.
Në vazhdim të hetimit me vendim të Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër u dhanë 19 masa sigurie, nga të cilët: 16 masa arrest me burg; 2 masa “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi Publik”; 1 masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, si dhe 22 masa të tjera për kontrolle banesash e ambientesh.
Të arrestuar janë shtetasit: B. A. 61 vjeç nga Shkodra; E. M., 33 vjeç nga Shkodra; A.B. 22 vjeç, nga Shkodra; A.D. 39 vjeç nga Shkodra; M.B. 31 vjeç nga Shkodra; V.N, 37 vjeç lindur në Podgoricë dhe banues në Shkodër; E.F., 38 vjeç nga Shkodra; E.Q., 41 vjeç, nga Shkodra; P.V., 54 vjeç nga Shkodra; L.S., 48 vjeç nga Shkodra; N.A. 52 vjeç lindur në Pukë dhe banues në Tiranë. U shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e 5 shtetasve të tjerë.
U ekzekutua gjithashtu edhe masat e sigurisë: “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi Publik” dhe ”Detyrim Paraqitje” për tre shtetas: V.H., nga Shkodra; A.S., nga Shkodra; E.L., nga Shkodra.
Gjatë operacionit dhe kontrolleve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale: 238 600 euro kesh; 272 400 dollarë kesh; 414 000 Lekë; 510 paund britanik; 20 automjete transporti; 1 revolver, 1 krehër pistolete me fishekë; 1 armë gjahu pa leje; 5 kompjutera laptop; 50 celularë; dokumente, kontrata, akte dhe deklarata noteriale, për pasuri e transaksione financiare të dyshuara.
Vazhdojnë hetimet financiare për dokumentimin e të gjitha pasurive të vëna nga aktiviteti kriminal, me qëllim sekuestrimin, konfiskimin dhe rikuperimin tek viktimat e krimit.
Në këtë operacion morën pjesë 160 forca policore dhe 30 automjete të policisë, përfshirë edhe automjete për transportim mjetesh transporti. Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për të zbardhur rolin dhe aktivitetin e tyre apo personave të tjerë të lidhur me ta. /j.p/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com