Loading...

Prokuroria: PD nuk deklaroi 650 mijë dollarë

Prokuroria e Tiranës deklaron se, nga hetimi deri tanishëm lidhur me subjektin politik Partia Demokratike, në kuadër të shpenzimeve elektorale të vitit 2017, kanë rezultuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga subjekti PD, dhe shpenzimeve reale që ky subjekt ka bërë.

Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës theksohet se PD ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh.

“Në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë janë marrë në pyetje ditën e sotme më datë 25.03.2019, shtetasit Lulzim Basha, Gazment Bardhi, Ilir Dervishi, dhe Arben Ristani”, sqaron organi i akuzës.

Prokuroria e Tiranës thekson më tej se “duke marrë shkak nga interesimi i medies për hetimin që po zhvillohet bëjmë me dije se, objekt i hetimit është vërtetësia e shpenzimeve monetare të kryera nga subjekti politik PD në fushatën elektorale të vitit 2017. Nga hetimi kanë rezultuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga subjekti PD, dhe shpenzimeve reale që ky subjekt ka bërë. Ky subjekt ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh”.

“Sipas akteve të ardhura nga letërporositë e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia rezultojnë në mënyrë të qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, çfarë nënkupton se subjekti PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa, në kundërshtim me ligjin”, sqaron Prokuroria.

“Marrja në pyetje e shtetasve të mësipërm është një proces normal në rrjedhën e zhvillimit të hetimeve dhe në kohën e çmuar si të përshtatshme në raport me provat e administruara. Nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 000 dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar ligjërisht nga subjekti PD”, theksohet në deklaratën e Prokurorisë.

Prokuroria thekson se “njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade”.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë garanton hetim objektiv dhe të paanshëm në lidhje me këtë çështje, duke u bazuar në prova dhe në ligj, si dhe të pandikuar nga deklaratat mediatike. /a.g/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com