Komisioni i Ligjeve në mbledhjen e sotme me votat e shumicës ka rrëzuar vendimin e presidentit Ilir Meta për rishqyrtim të ligjit të Noterisë.
Në Komisionin e Ligjeve, përfaqësuesi ligjor i Presidentit u shpreh se ligji ka të meta që duhet të rishikohen, ndërsa misioni Euralius, shumica dhe vetë Dhoma e Noterisë kanë rrëzuar pretendimet. Opozita e ka cilësuar ligjin si klientelist.
Në Komisionin e Ligjeve, këshilltari ligjor i Presidentit Bledar Dervishi u shpreh se disa dispozita paraqesin probleme. “Tre nene paraqesin të meta që duhet të rivlerësohen nga Kuvendi. Ka mos koherencë brenda ligjit. Nuk garantohet një kosto e barabartë mes noterëve gjatë veprimtarisë së tyre. Nuk garantohen shtresat e pamundura për të marrë shërbimet e nevojshme”, tha ai.
Përfaqësuesit e Dhomës së Noterisë deklaruan se nuk jemi dakord me propozimet e Presidentit.
Nga ana e saj, Vasilika Hysi u shpreh se argumentet e Presidentit nuk qëndrojnë.
Ndërsa deputetja e LSI-së, Silva Caka tha se ligji është klientelist, pasi sigurimi përveçse i detyrueshëm, kthehet në tender.
Po ashtu, dhe deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj u shpreh se po luhet teatër hipokrit. “Keni detyruar presidentin që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese t’i tërheqë veshin parlamentit edhe në çështje të teknikës legjislative”, tha ai. /j.p/