TIRANË, 4 janar/ATSH/ Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore për vitin 2019, parashikohet të kenë një rritje me mbi 3.8 miliard lekë më shumë se sa plani i vitit 2018 ose e thënë ndryshe me një rritje prej 21%.
Ndërkohë krahasuar me vitin 2015 të ardhurat vendore parashikohen me një rritje të konsiderueshme me rreth 90%.
Kjo rritje e nivelit të të ardhurave do të vazhdojë si rrjedhojë e ndarjes më të drejtë dhe transparente të financave për njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmirësimit të vazhdueshëm të skemës së financimit të funksioneve të veta si dhe rritjes së burimeve të financimit të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Gjithashtu, ndryshimet që po zbatohen në taksën e pronës, kadastrën fiskale parashikojnë të ndikojnë në peshën e rritjes së të ardhurave në buxhetin vendor.
Të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore për vitin 2019, krahasuar me vitin 2015, si viti para zbatimit të reformës administrativo-territoriale, janë dy herë më të larta, ose 10 miliardë lekë më shumë./m.m/ /a.g/
ATA