“Gjykata italiane me kërkesë të prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit italian ka mbyllur hetimin ndaj meje”, tha sot në një deklaratë për mediat, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Kam diçka me rëndësi që dua ta ndaj me ju dhe publikun sepse e vërteta nuk rri fshehur. Ju kujtohet me 24 tetor të vitit të kaluar deklarova se ndaj meje nuk kishte asnjë hetim. Atëherë ajo dora e zezë, lëvizi fort se letra që nxora unë ishte e falsifikuar. Dhe për të vërtetën time, krahas hetimeve në Shqipëri kërkova të hetohem dhe në Itali dhe prokuroria regjistroi një hetim ndaj meje me 27 tetor. Prokurori i antimafies italiane dhe prokurori i Përgjithshëm i Italisë i kërkuan gjykatës italiane pushimin e hetimit për Saimir Tahirin dhe gjykata e pranoi kërkesë dhe vendosi mbylljen e hetimi dhe unë kam vendimin e gjykatës, ku thuhet se pushohen hetimet e Saimir Tahirit, se nuk ka asnjë aktivitet të paligjshëm”, tha ai.
Tahiri shtoi se “të gjithë ata që kanë vrarë e vjedhur për 30 vjet në këtë vend nuk janë hetuar dhe kanë dalë të pa lagur. Unë zgjodha të bëjë qytetarin vetëm përballë drejtësisë. Të mos bëje politikë, por të pres pa fjalë hetimin dhe përfundimin e tyre”.
“Jam i vetmi politikan shqiptar që për tu hetuar pse jam përmendur nga 2 trafikantë që u gjetën kushërinjtë e 8, dhashë dorëheqjen nga mandati i deputetit e nga çdo aktivitet publik, heshta e prita që të hetohej gjithçka lidhej me mua jo vetëm në Shqipëri por edhe në Itali”, shtoi ai. /atsh