Në vitin e largët, 1674, një stuhi misterioze e shkatërroi një qytet të tërë. U nevojitën vetëm disa minuta që të shkaktohej një dëm i jashtëzakonshëm në qytetin Utrecht në Holandë.
Thuhet se stuhia kishte zgjatur rreth 15 minuta. Një stuhi e fuqishme dhe e shpejtë kishte përfshirë pjesën veri-perëndimore të Evropës në një mbrëmje vere para gati 350 vitesh. Kjo stuhi la gjurmë shoqërore dhe arkitekturore të cilat vërehen edhe sot në Utrecht.
Kjo stuhi e goditi qytetin në një periudhë historike shumë të vështirë për vendin. Pjesa e dytë e shekullit XVII ishte mjaft sfiduese për Holandën. Në atë kohë holandezët ishin në luftë me disa kombe, duke përfshirë francezët dhe anglezët. Dy vjet para stuhisë shkatërruese, viti 1672 njihet si “Viti shkatërrues” për Holandën sepse vendi u pushtua nga forcat e huaja, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Rrjedhimisht, qyteti ishte krejtësisht i papërgatitur për një katastrofë të tillë natyrore. Dita e 1 gushtit 1674 ishte një ditë tipike verore në Evropën veri-perëndimore. Kah pjesa e fundit e ditës, filluan vetëtimat dhe stuhia bëhej më e ashpër. Bazuar në reportazhet e gazetave të asaj kohe, stuhia kishte shkatërruar shumë shtëpi dhe ndërtesa tjera.
Bazuar në regjistrin historik të katastrofave natyrore, kjo stuhi llogaritet si një ndër më të rrallat dhe më të fuqishmet që kishte goditur Holandën ndonjëherë. Kjo mund të përllogaritej edhe nga pasojat që kishte lënë pas, e të cilat mund të vërehen edhe sot.