Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se është absurditet që Kosovës të mos i hiqet regjimi i vizave, sikurse moshapja e kapitujve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
I ftuar në emisionin “Zona B” në Klan Kosova, Rama u shpreh se të dyja këto çështje lidhen me situatën e brendshme të disa shteteve të BE-së.
“Është një çështje e një psikoze të krijuar në BE. Në këtë aspekt duhet të jemi të afërt me veten dhe njëri-tjetrin. Duhet të intensifikojmë të gjitha proceset për të bashkuar forcat, ekonomitë, idetë, energjitë dhe për ta kthyer kufirin në një kufi fluid, dhe nga ana tjetër duhet të kemi një qasje shumë më të strukturuar në raport me Serbinë”, tha Rama në Zona B.
“Kjo është gjëja që duhet të bëjmë ne. Të strukturuar, flas për Kosovën në këtë kuptim dhe ne jemi në mbështetje të Kosovës në këtë rast”.
Rama ka deklaruar se nuk e thotë që kufiri mes Kosovës dhe Serbisë të hiqet tërësisht.
“Do të kemi një kufi më fluid, do të ketë vetëm një ndalesë. Kjo që po bëjmë ne është ta kuptojnë edhe serbët, se nuk e bëjmë veç me njëri-tjetrin dhe s’bëjmë dyfytyrësi. U kemi kërkuar të gjithëve heqjen e barrierave. Me Kosovën do t’i heqim të gjitha. Porti i Durrësit do të jetë edhe i Kosovës. Pastaj do të bëjmë hapat drejt bashkimit doganor”, deklaroi shefi i qeverisë shqiptare. /atsh