Loading...

Shefi i qeverisë shqiptare ekspozon artin e tij në Rostock

Edi Rama është një burrë me klas dhe del jashtë çdo kornize. I gjatë dy metra, ai është një artist i njohur dhe në të njëjtën kohë kryeministër i Shqipërisë,  shkruan sot ostsee-zeitung.de.

‘’Pushteti dhe piktura janë kundërshti totale’’, thotë Rama. Për më tepër ato duket se shkojnë mirë në rastin e tij, përderisa ai vizaton gjithmonë grafikat e tij gjatë çdo dite që merret me politikë. Një përzgjedhje e veprave të tij mund të shikohet tani në Rostock. Në Kunsthalle, Rama i nxjerr ato në dritë.

“Një hapësirë e mahnitshme” – Edi Rama entuziazmohet, ndërkohë që sheh çdo kënd të ‘’White Cube’’, të premten pasdite. Nga dyshemeja në tavan, çdo mur është i mbuluar me punët e tij.

Ekipi i galerisë së artit ka printuar grafikat e mprehta të Ramës mbi binarët shtatë metra të gjatë dhe ka mbuluar hapësirën në formën e kubave me to. ‘’Jam krenar që ia arritëm’’, thotë Christof Kraft, drejtori teknik i Kunshalle, duke hequr skicat me korniza nga mbështjella e tejdukshme.

Edhe ato duhen të jenë në mur. Nëse ju shihni nga afër zonat e ngjyrosura dhe përdredhjet, ju do të zbuloni pjesë bimësh, ravijëzime të një pëllumbi dhe këmbë me taka të larta. Dhe pothuajse gjithmonë sipërfaqja e vizatuar vezullon. Ndonjëherë është ndonjë fletë, ndonjëherë një faqe kalendari. Edi Rama miraton me kënaqësi, është ajo çka ai ka imagjinuar.

Diçka gjendet para këmbëve të artistit 54-vjeçar: Pesë skulptura prej qeramike të Ramës nuk i kanë bërë ballë pa u dëmtuar rrugëtimit të gjatë nga vendi ballkanik. Këtu një plasaritje, atje një qoshe e thyer –material delikat dhe paketim shkel e shko. Të gjitha këto, nuk shkojnë me njëra-tjetrën.

Rama nuk shqetësohet. Ishte e pamundur që objektet të mos tronditeshin gjatë udhëtimit. “Një qeramist do të vijë nesër nga Tirana për t’i riparuar”, thotë Ulrich Gebauer. Drejtuesi i galerisë së Berlinit e mirëpriti artistin në kryeqytet dhe e shoqëroi për në Rostock.

Për kryeministrin “kjo është hera e parë në qytetin e Rostockut. Çfarë e tërhoqi këtu? “Për këtë duhet të pyesni atë, thotë Rama duke buzëqeshur dhe duke treguar nga Uve Neumann.

Drejtuesi i galerisë së artit u takua me Edi Ramën tre vjet më parë në galerinë e arteve të Berlinit. “Vepra e tij më magjepsi në çast. Zhvilluam edhe një bisedë së bashku”, shprehet Uve Neumann. “Më pas e vizitova në Tiranë”. Gjatë vizitës në zyrën e kryeministrit Rama, ajo jo vetëm që admiroi veprat e tij të artit, por edhe e ftoi në Rostock.

 “Bëmë bashkë madje edhe disa gjuajtje me top basketbolli”. Rama nuk është vetëm artist dhe politikan. Në vitet 1980-të, ai ishte basketbollist profesionist dhe ka luajtur në radhët e kombëtares shqiptare të basketbollit. Sot, ai bën kosha për t’u çlodhur në Kryeministri, rezidenca e tij zyrtare.

Në të njëjtën kohë, zyra e tij është shndërruar në një atelie piktori: pak rëndësi ka nëse po flet në telefon, negocion me politikanë apo mban një konferencë – shumicën e kohës ai pikturon me lapustil mbi shkresa, kapakë dosjesh apo librin e axhendës së takimeve.

 Për këtë arsye, bashkëbiseduesit e tij nuk duhet të mërziten. Rama nuk pikturon nga mërzia, por sepse nuk mund të bëjë ndryshe. “Është pjesë e natyrshme e jetës sime”, shprehet ai gati-gati në shfajësim. Kjo është shprehje e karakterit të tij. Kjo e ndihmon edhe të rrisë përqëndrimin. Rama është dhe mbetet një artist me shpirt krijues të ethshëm.

Dhe atij i pëlqen të jetë i zakonshëm, madje edhe gjatë ekspozitës në galerinë e artit. Kryeministri vishet me këpucë atlete dhe xhup të hapur. Mbrojtje personale? Aspak. Në Rostock, Rama është si njeri i zakonshëm dhe si shofer e ka sjellë me makinë ambasadori i Shqipërisë. Në vend të pritjeve politike dhe darkave zyrtare, ai ka shkuar drejt e në restorantin e lirë bistro të galerisë.

 Edi Rama dëshiron të ekspozojë punimet e tij në sallën “White Cube”. “Ato më të ulëtat do të vendosen këtu”, thotë ai, ndërsa ngre vetë me duar një piedestal dhe e vendos në pozicionin që dëshiron. Uve Neumanni e shikon dhe buzeqesh. “Është çmenduri. S’arrij ta besoj se është vërtet këtu”. Prania e tij është një dhuratë e vonuar në 800-vjetorin e themelimit të Rostokut.

Ekspozita hapet mbrëmjen e së shtunës nga vetë Edi Rama. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 6 janar./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com