Edhe këtë mbrëmje kanë dalë në protestë banorët e Astirit në Tiranë për herë të dytë brenda ditës pasi afati që u është vënë, 2 javë, është drejt përfundimit.
Banorët janë mbledhur aty ku e filluan protestën, duke bllokuar rrugën “Teodor Keko” dhe situata ka agravauar edhe me djegie gomash në mes të rrugës.
Ajo që irrituar dyfish banorët është deklarata e kryebashkiakut Veliaj me një gjuhë gati-gati raciste, i cili sot i quajti “shpellarë” dhe “njerëz që nuk kanë rrënjë në Tiranë”.
Kjo është ajo që lënë banorët të kuptohet nga deklarata e tyre, të cilët shprehen se kanë vite që paguajnë taksa në këtë qytet dhe s’mund të dëbohen si një hiç.
Një qytetare është shprehur:
Si mund të na quajë ai shpellarë?! Unë jam lindur e rritur këtu dhe jam qytetare e këtij vendi.
Jemi shqiptarë mbi të gjitha nuk jemi shpellarë! Turp! Turp!”
Deklarata e sotme e Veliajt:
Dikush që nuk ka rrënjë në këtë qytet, kujt i sulet? Për 28 vite nuk kanë paguar asnjë taksë ata që janë pa letra. Shanset janë zero që kjo betejë të ndalet. 99% e njerëzve duan që qyteti të zhvillohet, të rregullohet trafiku. Një pjesë e jona ka parti politike shpellarë që shqyejnë dhe dhunojnë njerëzit që punojnë për këtë qytet. Shumica e qytetarëve duan që unaza e re të bëhet. Edhe për bulevardin e ri ishte e njëjta parti, shpellarë, që shkatërrojnë. Është i njëjti film që e kemi parë dhe ky film përfundon me fitoren e qytetit, të njerëzve të mirë, që duan rendin dhe nuk kanë zaptuar, nuk shqyejnë dhe nuk vijnë nga shpellat. Njerëzit thonë kur të zhbllokohet trafiku te Shqiponja do të marrë frymë Tirana.”