Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar për gjykim tre gjyqtarët e apelit Durrës Kliton Spahiu, Petrit Ceno dhe Petraq Dhimitri për “ Korrupsion pasiv të gjyqtareve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë të Drejtësisë ”, duke u bazuar te neni 319/ c, I K. Penal dhe shtetasin Namik Sadiku për veprën penale “ korrupsion aktiv të gjyqtareve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë te drejtësisë ” te parashikuar nga neni 319 I K.Penal.
Sipas hetimit, Gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno kanë zhvilluar dy udhëtime, njëri prej të cilëve në Spanjë për të parë ndeshjen e futbollit mes Real Madrid dhe Barcelonës në 2014.
Rasti që po hetohet nga prokuroria implikon gjyqtarët e Apelit të Durrësit me biznesmenin Namik Sadiku dhe ka të bëjë me një çështje gjyqësore midis këtij të fundit dhe ish-ortakut të tij, Oliver Ushina. Ushina kishte paditur Namik Sadikun për ndërtimin e një pallati 10-katësh në zonën e Shkëmbit të Kavajës, çështje të cilën ai e fitoi në shkallën e parë. Por vendimi u rrëzua nga Gjykata e Apelit me ndërhyrjen e treshes Spahiu, Dhimitri dhe Çeno, i pari në cilësinë e relatorit dhe dy të tjerët anëtarë të trupit gjykues. Më pas të tre gjyqtarët kanë shkuar dhe kanë parë derbin “El Clasico” në Spanjë bashkë me Sadikun, i cili dyshohet se ka mbuluar të gjitha shpenzimet. Këtu nis dhe hetimi prokurorisë. /atsh