Goditjet e drejtësisë në nivele ministrash, ish-ministrash, deputetësh apo zyrtarësh të lartë duket se po afrojnë. Gjatë 28 viteve demokraci shumica e të korruptuarve ja kanë hedhur paq, duke shijuar pasuritë e vjedhura nga xhepat e qytetarëve. Por duket se numërimi mbrapsht ka filluar dhe përveç arrestimeve që do të ndodhin me ngritjen e SPAK, duket se do të ketë dhe sekuestrime pasurie. ‘Sot’ e ka deklaruar disa herë se destinacioni kryesor i pushtetarëve shqiptarë për fshehje pasurie është Londra.
Madje një zyrtar shumë i lartë në vend ka fshehur atje rreth 80 milionë euro pasuri. Por duket se ndërkombëtarët kanë rënë në gjurmët e tyre. Të premten ka mbërritur në Tiranë një delegacion britanik, me dy qëllime: Dhënien e asistencës për goditjen krimit të organizuar dhe sekuestrimin e parave të pista. Delegacioni drejtohet nga Sekretari i Përhershëm i ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar Philip Rutnam, i cili shoqërohej nga Frances Collier Drejtor i Drejtorisë për Evropën, në Departamentin e Krimit të Organizuar, si dhe Sarah McAveety Koordinator Rajonal për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda.
Të premten delegacioni u takua me kreun e Policisë Ardi Veliu, ndërsa dje u takua me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Ndërsa do ketë takime me zyrtarë të prokurorisë, Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe institucione të tjera ligjzbatuese. Sipas burimeve, britanikët do të japin asistencë logjistike, teknike dhe po ashtu do të dorëzojnë informacione mbi grupe të caktuar kriminale dhe paratë e fshehura në Londër.
Dje në takimin me Gjonajn ata kanë kërkuar ngritjen sa më shpejt të SPAK dhe Byrosë së Hetimit, duke dhënë sinjal se kërkojnë të nisë lufta antikorrupsion. Pak ditë më parë ishin gjermanët që bënë disa vizita të fshehta dhe u arrestua grupi me 34 persona. Por me mbërritjen e britanikëve pritet të ketë goditje të tjera dhe sërish ka pushtetarë të lartë të rrezikuar. Gjatë kohës që Fatmir Xhafaj ishte ministër, ai gjatë një vizite ne Britani ra dakord që të firmoset një pakt për pastrimin e parave. Me mbërritjen e delegacionit ditët e fundit, pritet që marrëveshja të zyrtarizohet.
Politikanët e përfshirë
Një zyrtar shumë i lartë në vend prej kohësh po mbahet në monitorim nga ndërkombëtarët. Gazeta e deklaroi se si vendet partnere zbuluan lidhjet e politikanëve shqiptarë me rusët, ndërkohë që janë zbuluar dhe paratë e fshehura prej tyre jashtë vendit. Pak muaj më parë Banka e Shqipërisë ka shpërndarë një udhëzim për të gjitha bankat, ku politikanët do të duhet të plotësojnë një formular për pastrim parash për çdo transfertë që kryhet.
Kjo ka ardhur pasi po punohet prej muajsh që të nisin goditjet për emra të lartë të përfshirë në transferta të dyshimta. Më i rrezikuari është një emër i njohur në vend, pasi atij i janë zbulua rreth 80 mijë euro në Londër dhe mbërritja e britanikëve e ka shqetësuar shumë. Gjatë ditëve të fundit “underground” ka pasur tensione të forta politike dhe duket se frika është te lëvizjet e vendeve partnere.
Gazeta pak ditë më partë tregoi se Drejtoria e Pastrimit të Parave ka zbuluar se 4 politikanë që kanë bërë transferta të dyshimta. Ndërkohë britanikët duket se kanë nisur të dorëzojnë të dhëna pranë autoriteteve shqiptare. Kjo do të thotë se me afrimin e datës për negociata do nisë dhe reprezalja në radhët e pushtetarëve. Kjo vizitë e britanikëve ka shqetësuar shumë emra, brenda dhe jashtë Parlamentit. Londra është gati të ofrojë pajisje speciale për të goditur pastrimin e parave dhe krimin e organizuar dhe çdo ditë që kalon rrethi për të korruptuarit sa vjen e bëhet më i vogël.