Banorët e Unazës së Re që do iu prishen shtëpitë nga qeveria kanë paralajmëruar sot se protestën do e zhvendosin para parlamentit, ku ka seancë plenare.
Eshtë dita e 19 që ata protestojnë kundër prishjes se banesave dhe bizneseve të tyre. Ata do të mblidhen në orën 10:00, kur fillon edhe seanca plenare. Ndërkohë 6 banorë janë çuar në ndjekje penale nga policia për shkak të protestë së tyre.
Por sot kryeministri Edi Rama ka deklaruar se s’ka asnjë shans që paligjshmëria të dëmshpërblehet dhe i ka konsideruar një pjesë të biznesmeneve që operojnë në atë zonë dhe kërkojnë dëmshpërblim, si “zaptues profesionistë”.
Duke publikuar një kronikë të TCH që tregon bizneset që janë ngritur në të dy anët e rrugës nga Pallati me Shigjeta deri tek sheshi Shqiponja, kryeministri shkruan në Fb:
“Dhe me këtë pasqyrë sqaruese të situatës ligjore në Unazën e Re, ku ndër ata që e quajnë veten në “proces legalizimi”, janë shfaqur edhe një kategori e panjohur më parë e zaptuesve profesionistë të trojeve publike a private, ju siguroj se s’ka asnjë shans që paligjshmëria të dëmshpërblehet me taksat tuaja dhe ju uroj një ditë të mbarë”.