Prokuroria e ka cilësuar si të manipuluar përgjimin ku përfshihej vëllai i ministrit të Brendshëm. Për këtë arsye është arrestuar kunati i Albert Veliut dhe vetë ky i fundit, i njohur ndryshe si “Babalja”.
“Panorama” ka siguruar ekskluzivisht akt-ekspertizën e Prokurorisë për dosjen “Babalja”, ku edhe përcaktohet si joorigjinal materiali i paraqitur në media. Në dokumentin e siguruar nga “Panorama” sqarohet se kompania që ka realizuar ekspertimin teknik të audio-përgjimit të “Babales” është kompania “JP French Associates” në Britaninë e Madhe. Sipas kësaj akt-ekspertize regjistrimet nuk janë origjinale, por ajo që e bën të dyshimtë këtë konstatim është fakti që në fjalinë pasardhëse të kompanisë “JP French Associates” theksohet se materiali që i është vënë në dispozicion është një regjistrim video që është marrë nga pamjet e mediave dhe joorigjinal. Sipas përgjimeve, që janë kryer në numrat telefonikë të Fredi Alizotit, Albert Veliut dhe disa personave të tjerë më të cilët këta komunikonin, bëhet e qartë biseda rreth inskenimit të audio-përgjimit.
Ka qenë Alizoti ai që pranon në disa biseda se rolin e Agron Xhafajt në përgjim e ka luajtur ai dhe se i janë premtuar 100 mijë euro për këtë rol. Madje, në disa biseda, ai tregon se ato para nuk i ka marrë, por Veliu, sipas tij, ka marrë 70 mijë euro përpara se të nisej për në Kosovë. Në përgjime janë edhe dy biseda interesante mes tij dhe “Babales”, ku Alizoti i kërkon atij që të kërkojë shumën e premtuar. Gjithashtu, interesant është fakti se ka qenë Alizoti që nuk ka duruar më dhe ka telefonuar në Policinë e Fierit, duke treguar gjithçka, përpara se të drejtohej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka folur për audio-përgjimin dhe se si u realizua ai.
PËRGJIMET
Në datë 01.06.2018 i janë marrë deklarime shtetasit Fredi Elmaz Alizoti. Komunikimet telefonike të këtij shtetasi kanë qenë në përgjim me vendim të prokurorit të datës 22.05.2018, të vlerësuara me vendimin e Gjykatës nr. 457 datë 24.05.2018. Ky shtetas ka deklaruar që rreth orës 16:00, të datës 01.06.2018, kishte kërkuar të komunikonte me Drejtorinë e Policisë Fier, pasi donte të deklaronte disa fakte. Kishte kontaktuar me drejtorin, i cili e kishte orientuar që të jepte deklarime në Prokurorinë për Krime të Rënda. Ky shtetas ka deklaruar që shtetasin Albert Veliu (Babalja) e njihte prej 20 vitesh. Rreth muajve tetor-nëntor të vitit 2017, ai kishte thënë që donte t’i bënte një regjistrim shtetasit Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, por nuk i gjente dot anën, pasi nuk e afronte. I kishte ofruar që të bënin një regjistrim, shtetasi Fredi të hiqej sikur ishte shtetasi Agron Xhafaj. Për këtë shërbim, “Babalja” i kishte thënë që do të merrnin 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji. Këtë bisedë e kishin regjistruar në Vlorë te një lokal përballë atij që kishte shtetasi Agron Xhafa. Sipas deklaruesit, “Babalja” kishte premtuar që do t’i jepte 100 mijë euro dhe zëri i shfaqur në regjistrimin e bërë publik nga televizionet në bisedë me “Babalen” ishte zëri i tij. “Babalja” deri në këto momente nuk i ka dhënë asnjë lekë. Në datë 27.09.2018, i janë marrë deklarime shtetasit Fredi Alizoti në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, në praninë e mbrojtësit të zgjedhur prej tij. Ai u ka qëndruar deklarimeve të dhëna në datën 01.06.2018. Përgjimi ishte kryer me një mjet stilolaps, kishte qenë vetëm me Albertin. Nuk mbante mend periudhën e saktë, por mund të ketë qenë në janar të vitit 2018, ku kanë regjistruar bisedën. Kohë para kryerjes së regjistrimit, Alberti i kishte thënë të bënin një regjistrim bisede ku Fredi do hiqej sikur ishte shtetasi Agron Xhafaj. Këtë gjë do e bënin kundrejt një shpërblimi 200 mijë eurosh, që do e ndanin përgjysmë. Këto para do ia jepte Ervin Salianji, “Babales” kur biseda të shfaqej në televizion. Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi është vendosur lejimi i përgjimit të komunikimeve të disa numrave telefonikë. Nga procesverbalet e transkriptimeve ka rezultuar: -Në datë 20.05.2018, ora 09:25, përdoruesi i nr. të tel *****599 (Albert Veliu) telefonon përdoruesin me nr. tel. ****770 dhe bëjnë këtë bisedë:
Veliu: Ku do e pimë një kafe?
770: Të thashë dhe dje, do të marrim vetë…
Veliu: O vlla, unë jam në mes të katër rrugëve, në rregull, s’kam çfarë pres më tani vllai jot, se jam shumë i stresuar dhe i lodhur. Ka edhe të tjerë për lart e për poshtë, s’dua të flas në telefon. Ka mundësi të takohesh 5 minuta…
-Në datë 20.05/2018, ora 19:55 përdoruesi i nr. të tel ****692 Albert Veliu, telefonon përdoruesin me nr. ****327 dhe bëjnë këtë bisedë:
Veliu: E më thuaj se tani po ulem po flas me lart, mos flas shumë unë, ça të thanë ata zotërinjtë ty?
327: Ata zotërinjtë ishin anë shoqërore e juaja nga ana e atij tjetrit?
Veliu: Po e atij shokut tim, po shokut tim nga Vlora, po vazhdo.
327: Bravo, vetëm njëri nga ata, edhe erdhën dy edhe thanë, ne kemi si urdhër që ik e gjejuni një shtëpi një muaj tha, pastaj gjëra të tjera jo.
Veliu: Gjëra të tjera s’bëjnë asnjë gjë ata, vetëm shtëpi një muaj? Kaq të tha?
327: Po, po, po, pastaj ne nuk dimë, tha se as njëri as tjetri nuk kanë sqaruar asnjë gjë…
Veliu: Ka dhënë urdhër dikush të vijnë t’ju marrin, t’ju sistemojnë e të gjitha ça të duan, kshu është puna.
327: T’ia them hapur atyre?
Veliu: Po më kanë dërguar thuaj, e di vetë ti, emrin E-ja me L-në.
327: Nuk e di Berti, na e shkruaj me mesazh.
Veliu: L-ja është ai i madhi, krushku im. E-ja është ai poshtë.
327: Shkruaji një mesazh Ledios (Jetmir Olldashit) të na e shkruajë ne.
Veliu: L, si Luli jot shoqje.
327: Puna është nuk duhet të flas unë, të flasin ata gojarisht dhe ata të jenë se unë kur ika, ika me urdhër. Veliu: Mos fol shumë në telefon, Luli me Ervinin kaq e di vetë ai.
327: Kush?
Veliu: Luli me Ervinin, kaq…
-Në datë 29.05.2018, ora 21:00, përdoruesi i numrit telefonik ****000 i telefonon përdoruesit të numrit telefonik *****091 (Fredi Alizoti) dhe gjatë bisedës u fol për premtimin që duhet të mbante dikush që e kishte dhënë atë.
000: Unë nuk kam dit gjo fare, as u kam thon hajeni, as hiç, por ai që ju ka premtue, ça u ka than, duhet t’u rri tek kamt e me ja marr.
Alizoti: Nuk kemi marrë asgjë akoma, po do llafosemi, do pimë kafe dhe do të të sqaroj unë. Jo me se më premtun diçka këtu, prit eee, kupton ti. Çunat po e mbajnë nga brenda se thesin e kam unë, po ta hap unë thesin mbaron çdo gjë… e kupton vetë ti muhabetin.
000: Nëse i ka hy për lek, ka bo gabimin më të madh, e mo, shoku jem, po ça boni, o burrë.
Alizoti: …unë prap po rri fisnik. Ato që janë premtuar… nuk kam marrë asgjë… dhe unë një llaf tani dhe përmbyset bota, kthehet nga e para e del çdo gjë falso… kupton. Janë falso, janë falso, po ta them me shpirt.
000: Eni pra, mos u bini në qafë njerëzve kur janë falso, mos u bini në qafë njerëzve kot, o vlla… Atë ditë takova rastësisht Babalen dhe i thashë… vetja i thashë, ke hi i merr në qafë robt kot. Me i bo letrat për azil, nuk e di si i boni kto punë.
Alizoti: Është e vërtetë kjo vllai, është e vërtetë.
-Në datë 01.06.2018, ora 16:40, përdoruesi i numrit telefonik ****091 (Alizoti) i telefonon nr. 129 (Policisë) dhe bën këtë bisedë:
Alizoti: Dëgjo mua, dëgjo mua një sekondë, do më dëgjosh me vëmendje, a më dëgjon?
129: Po ju dëgjoj zotëri, fol.
Alizoti: Ajo dëshmi e Babales është falso dhe unë jam ai origjinali.
129: Mirë, mirë, ja po të merr drejtori në telefon tani, lëre atë e di unë…
-Në datë 01.06.2018, ora 16:52, përdoruesi i numrit telefonik ****3316 i telefonon numrit ***091, Alfred Alizoti. Midis tyre ishin realizuar disa komunikime ku i kërkohet drejtuesit të Policisë së Qarkut Fier që posedon numrin e parë, që do t’i komunikohej diçka shumë e rëndësishme dhe zhvilluan bisedën si më poshtë:
Alizoti: Ajo që është bërë mes telefonatave dhe përgjimi, kam qenë unë që e kam bërë atë… Ai që është bërë në përgjime… ajo që është bërë me Babalen në përgjime… kam qenë unë që e kam bërë.
Drejtuesi i Policisë Fier: Me kë ke qenë kur e ke bërë?
Alizoti: Me Babalen, me asnjëri tjetër.
Drejtuesi i Policisë Fier: Nuk ke qenë ti bashkë me Agronin?
Alizoti: Jo, jo, ka qenë Babalja, unë kam qenë në vend të Agronit.
Drejtuesi i Policisë Fier: Je i sigurt për këtë?
Alizoti: Jam i sigurt, më dëgjo mua, do më dëgjosh me vëmendje, më dëgjo mua dhe do të të flisja me fakte… na premtuan 200 mijë euro, unë s’kam marrë asgjë, i mori Berti 70 mijë euro dhe iku, e kupton. Jam i sigurt dhe me dorë në zjarr.
-Më datë 06.06.2018, ora 21:33, përdoruesi i numrit telefonik ****091 Alfred Alizoti telefonohet nga numri *****272, dyshohet si Albert Veliu dhe zhvillojnë këtë bisedë:
Alizoti: E takova, jo ktej, jo andej, jam keq, po dridhej. Veliu: Ore, thuaj bëj likuidimin që kemi lënë, thuaj kaq, asgjë në botë o Fredi vllai se me atë s’kam lidhje fare kontakti, besomë se jam në azil, për shpirt të plakës, unë flas me anë të tjetrit, me kosovarin, me atë. Thuaj e vlla, bëj likuidimin si e lamë, thuaj….
-Në datë 07.06.2018, ora 13:49, përdoruesi i numrit telefonik ****091 (Fredi Alizoti) telefonohet nga numri ****272 (Albert Veliu) dhe zhvillohet kjo bisedë:
Alizoti: Fol një herë me ata miqtë e vlla se unë s’dola dot andej poshtë. Mua më erdhën më degjeneruan dy herë në mëngjes, më mbajtën katër orë aty, më bënin presion. Mendo dhe për mua i q… motrën.
Veliu: Ore, po s’bëhet llaf, po rri rehat tani, boll tani.
Alizoti: Ai miku që ti njëherë më thoshe mua, fol, hap gojën sa do ore, unë sikur e kam…
-Në datë 12.06.2018, ora 12:55, përdoruesi i numrit telefonik *****091 telefonohet nga një numër ****974 dhe zhvillohet kjo bisedë:
Alizoti: Muhabet nuk ke dëgjuar në televizor ti, me shoku, po fola unë gjëra e ai muhabeti jam unë, e kape filmin ti? Unë bëra sikur isha vëllai i atij, e ke parasysh, dëgjon e?
974: Hë..
Alzoti: Bëra sikur isha vëllai i atij, e kupton ti, që do merrnim nga një bindshme e kupto ti?
974: eee. Alizoti: Po këta re burrë, po s’ishte e mirë ajo gjë, kupton ti, nga një qindëshe erdhi muhabet, prit re nga një qindëshe për një dyqindëshe e më tha mua nuk marrim dyqind, më tha mua do marrim njëqind, ore, mirë i thashë unë, mendova unë v.k. Mendova që po devijonte, ke parasysh ti çfarë tipi që ka ai. I thashë unë nëm një njëzetëshe, unë iki andej, lëviz, kupton ti./ PANORAMA