Frutat e thata të pemës së hideve janë kultivuar prej më shumë se 4000 vitesh.
Hidet mbajnë emrin shkencor Ziziphus jujube dhe janë një frut me ngjashmëri të mëdha me hurmat dhe fiqtë.
Hidet janë të pasura me krabohidrate dhe një sërë vitaminash dhe mineralesh. Hidet e thata përmbajnë një larmi fitokimikatesh të pasura me antioksidantë, përfshirë saponinën dhe flavonoidët.
Hidet e thata janë përdorur në mjekësinë tradicionale për të trajtuar alergjitë, ankthin, depresionin, diarenë, tharjen e lëkurës, lodhjen, hipertensionin, pagjumësinë, djersitjen, dhimbjet, problemet me frymëmarrjen dhe stresin.
Metodat e ndryshme të përpunimit të frutave në kushtet e shtëpisë
Zieni ujin në një tenxhere dhe hidhini frutat në ujë të valuar për 1 deri në 2 minuta. Më pas hidhini në një enë me ujë të ftohtë ose me akull. Lëkura e tyre do të plasaritet dhe tuli i tyre do të thahet më mirë.
Ruajtja e hideve me lëng limoni
Futini hidet në një enë qelqi ose metalike të mbushur me sasi të barabarta të lëngut të limonit dhe ujit të ftohtë. Sigurohuni që frutat janë plotësisht të mbuluara nga uji dhe mbajini ashtu për 10 minuta.
Hiqini nga uji dhe shpërndajini mbi një napë të trashë. Thajini me kujdes. Kjo procedurë është e dobishme për shtimin e jetëgjatësisë së frutave.
Tharja në furrë
Shpërndajini hidet mbi një letër pjekjeje. Sigurohuni që hidet nuk prekin njëra tjetrën dhe futini në furrë në një temperaturë prej 60 gradë Celcius. Mundohuni të mbani derën e sobës pak hapur për të lejuar qarkullimin e ajrit.
Provo dhe Kontrollo
Kontrollojini frutat herë pas here. Rrotullojini që të siguroni tharjen e njëtrajtshme të tyre.
Koha e tharjes varion nga 6 deri në 16 orë, në varësi të përmasës së frutit, nivelit të lagështisë, temperaturës dhe qëndrueshmërisë së ngrohjes në furrë. hidet quhen të thara kur lëkura e tyre ashpërsohet por mbetet elastike dhe e lakueshme.
Gjendja e frutit
Pas tharjes, hidet futini në një qese letre ose kavanoz qelqi për 4 deri në 10 ditë. Tundeni paketimin e përzgjedhur që frutat të mos ngjiten dhe të mos bien pre e lagështisë apo mykut. Sapo frutat të jenë plotësisht të tharë, mund t’i transferoni në një enë hermetike.
Përdorimi
Hidet mund të hahen të thata ose të përdoren në ëmbëlsira. Nëse ju pëlqejnë kombinimet e kripura me të ëmblën, atëherë mund t’i hidhni pak kripë sipër tyre.
Nëse dëshironi t’i përdorni në ëmbëlsira, zhytini hidet në ujë të ngrohtë për të paktën një orë deri sa të fryhen dhe të njomen plotësisht.
Hidet mund të thahen edhe në diell si çdo frut tjetër, por me ikjen e verës tharja e tyre në këtë mënyrë bëhet e vështirë. Klikoni këtu për të mësuar metodat e tharjes së frutave./AgroWeb.org