Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi
Dr. Çlirim TOCI
Akademia e Forcave të Armatosura
Kur trokiste “ora e re e Europës”, Shqipëria shfaqet madhërisht me një histori personaliteti të kohës me Gjergj Kastriotin, që e bën Europën dhe Osmanët që të mbajnë frymën. Toka arbënore sjell në skenën e historisë europiane një kalorës të Krishtit, një kambanë të ndërgjegjes kombëtare, i cili afirmon dhe shpalos identitetin historik shqiptar si një copëz e pjesë së përbashkët të trupit të identitetit europian. Figura madhore arbërorë shqiptare i bënte nder jo vetëm tokës shqiptare por mbarë ndërgjegjes së kombeve europianë.
Çdo fitore e heroit shqiptar në shekullin e XV përcillej me rënien e këmbanave në mbarë Europën. Qndresa heroike shqiptare Skënderbejane solli një imazh të ri të luftëtarit të vrullshëm shqiptar, zanatçiut të luftrave që i dha identitet vetë lavdisë europiane të artit të ri ushtarak përfaqësuar nga arti ushtarak shqiptar, taktikat dhe strategjia e luftës rrufe. Gjithashtu dukuria stradiote arbërore ishte shprehje e artit të lashtë ushtarak shqiptar, që po përsosej dhe shndërrohej shumë shpejt në vlerë për artin ushtarak europian, që bota e njeh si “strategjia dhe taktika e kalorësisë së lehtë shqiptare”, ndërkohë që kalorësia europiane ishte tepër e rëndë dhe krejtësisht e pamanovrueshme. Por koha skënderbejane solli një sërë gjeneralësh dhe gjeneralizmi që spikatën në fushën e prakticitetit të drejtimit të operacioneve luftarake në terren. Të tillë ishin Gjergj Araniti, Moisi Golemi, Vrana Konti, Lekë Zaharia, Hamza Kastrioti, Gjon Muzaka, Pal Engjëlli, Andrea Topia, bashkëpunëtorë më të afërt të Skënderbeut. Çdo komb ka heronjtë e vet, megjithëse rallë ndodh që një vend i vogël si Shqipëria të ketë një figurë si madhe si Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Për 25 vjet ai e ktheu Shqipërinë në një barrierë të fortë ndaj ushtrive pushtuese osmane, por njëkohësisht ai u bë barrierë që osmanët mos të përparonin më tej në Evropë. Për këtë qëllim Evropa e njeh Skënderbeun si një “Atlet të Krishtit”, një mbret dhe një luftëtar, që, nëse nuk do të ekzistonte, kishte gjasa që kontinenti të ndërronte fenë.
Gjergj Kastrioti i Shqipërisë, i quajtur Skënderbeg, ishte dhe mbetet në historinë shqiptare dhe europiane madhështor: një dritë shprese, frymëzues gjatë shekujve e periudhave të errëta. Ky nuk ishte një fantazmë mitologjike; ai ishte një individ real, që luajti rol historik për kombin dhe për botën e qytetëruar europiane e më gjerë dhe kështu hyri në ndërgjegjen kombëtare brez pas brezi. Gjergj Kastrioti ngeli i respektuar prej prijsave të kohës së tij, i nderuar dhe i dashur nga përkrahësit dhe populli i tij. Ai i dha frymë bashkëpunimit rajonal në shumë fusha. Heroi i shqiptarëve u bë pjesë e rëndësishme e luftës së popujve të Evropës Juglindore, në ballë të së cilës qëndronin shqiptarët, që penguan vërshimin osman në drejtim të Evropës Qendrore e Perëndimore dhe mbrojtën zhvillimin ekonomik, shoqëror, politik e kulturor të këtyre vendeve. Një bashkëpunim të ngushtë pati me Venedikun dhe shprehje e këtij afrimi është edhe dhënia e titullit “fisnik venecian”, më 1463, prej dukës Kristofor More, djalit të Skënderbeut, Gjonit, i cili ende ishte fëmijë. Gjoni, djali i vetëm i Skënderbeut, që kishte lindur në vitin 1454, u largua në Napoli pas vdekjes së të atit, ku mori titullin “Dukë” dhe “Kont”. Ai u martua me Irena Brankoviç Paleologu, pasardhësja e fundit e familjes perandorake të Bizantit në vitin 1475, në moshën 21 vjeçare. Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e Skënderbeut me mbretin Ferdinand të Napolit, Papa Piu II, dukën e Milanos, Françesk Sforca, të cilët formonin bllokun politik më të fuqishëm në Itali si dhe krijoi lidhje me shtete të tjera italiane, si me Mantovën, Sienën, dukatin e Burgonjës, që përbashkoheshin në frontin antiosman.
Me Spanjën dhe me vendet e Evropës Qendrore, si me Poloninë etj., lidhjet ishin rrjedhim i sundimit në to i po atyre dinastive që ishin përkatësisht në Napoli dhe Hungari. Marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e Evropës i forcuan dhe vizitorët e vullnetarët e huaj që erdhën nga vende si Franca e Anglia, dhe luftuan në ushtrinë e Skënderbeut (përmendim më 1457 anglezin Xhon Njupor). Lidhje krijoi Skënderbeu edhe me vende përtej kufijve të Evropës si marrëdhëniet e tij me emirin Ibrahim të Karamanisë në Azinë e Vogël, kun ë frontin antiosman vend zinte projekti i përbashkët kundër Osmanëve, ku një vend qendror i jepej aksionit të shqiptarëve.
Duka i Milanos, Françesk Sforca, i shkruante Skënderbeut në fund të vitit 1461: “ne kemi po atë detyrim ndaj madhërisë suaj, siç ka dhe Mbreti Ferdinandi dhe që tani e përgjithmonë po afrohemi për të gjitha nevojat dhe nderet e zotërisë suaj, si një vëlla i mirë e i përzemërt”. Mbreti i Napolit, Alfonso, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën që i dha Skënderbeu i dhuroi prijësit shqiptar 60 km² dhe një kështjellë që dhe sot është pronë e pasardhësve të Skënderbeut.
Djali i Skënderbeut pati shumë fëmijë, ku pasardhësit u shpërngulën në Leçe, në vitin 1700. Donika ndërroi jetë më 1503, në Spanjë, në oborrin mbretëror Aragonez, vetëm pak muaj para të birit, Gjonit dhe 37 vite pas Skënderbeut duke shuar kështu shpresën e rikthimit në atdhe. Siç ndodh me heronjtë e vërtetë, jeta dhe historia e kohës së tij është plotë me intriga, kundërshtime dhe tradhëti, por edhe me lavdi, dashuri, ideale, krenari dhe vepra kreshnike.
Shkencëtarë dhe historian bëjnë hulumtime për politikën, diplomacinë dhe të dhënat që dalin për vlerat e tij dhe të kohës së tij, aq sa fqinjët duan ta përvetësojnë. Papa i Romës, mbretër, kardinalë, dijetarë, historianë, kronikanë, biografë, strategë ushtarak… kanë pasur korispodencë me Gjergj Kastriotin ose kanë shkruar libra e vëllime të tëra për të përshkruar historinë e lavdishme skënderbejane dhe figurën e tij madhështore. Nga lengjendari ynë janë frymëzuar poetët popullorë e folkloristët, shkrimtarët, poetët, dramaturgët, kompozitorët, skulptorët… kanë krijuar, shkruar e kompozuar këngë, legjenda, mite, pjesë teatrale e opera, vargje dhe bëma të heroit tonë kombëtar. Emri Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe epopeja shqiptare e shek. XV ka frymëzuar intelektualë të shquar shqiptarë që e kanë përjetësuar atë në vepra historike monumentale e nga më të shquarat e kohës dhe që kanë pasur një jehonë të gjerë ndërkombëtare, me të cilën ka nisur jetën e vet edhe historiografia shqiptare. Themeluesi i saj është Marin Barleci, historian humanist i shquar i përmasave ndërkombëtare. Meritë të veçantë ka vepra e humanistit Marin Barleti “Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, princit të Epiriotëve” (Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum Principis), e cila edhe pse paraqitet disa herë me pasaktësira historike, e shkruar me një stil artistik, e përshkruan në një mënyrë të rrallë humanitare e magjepëse jetën trimërore të Skënderbeut. Sami Frashëri theksonte se “Skënderbeu, kujt istoria s’i tregon ndonjë shok a shembëll në trimëri, në dituri, në mendim të drejtë, në njerëzit, n’ëmbëlsit të zemrësë e në madhëri të shpirtit. Gjith pushtetat’ e Evropës q’ishinë atë-herë kishinë shpresë në Skënderbeu, e prisninë shpëtimn’ e Evropësë nga shqiptarëtë”. Emri i Skënderbeut u propozua nga Sami Frashëri t’i vendosej kryeqytetit të Shqipërisë. Në 1889 në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, S. Frashëri mendon që qyteti të ngrihej në fushën e Tiranës. Shqiptarët në gjithë hapësirën ballkanike, e shohin Skënderbeun dhe Arbërinë e tij, si modelin integrues në familjen e popujve të Evropës së Bashkuar. Falë tij, historia shqiptare e periudhës skënderbejane është pjesë e lavdishme e historisë së Evropës e sigurisht Skënderbeu, një personazh shumë i spikatur i saj.