Loading...

Si ndryshuan jetët e tyre pas misioneve, këta janë ushtarakët shqiptarë që kryen krime

Ata janë stërvitur për të qenë të fortë, për t’i shërbyer shtetit apo dhe qytetarëve. Por ka nga ata që për shkaqe të ndryshme i janë dorëzuar dobësisë duke i dhënë fund jetës apo duke kryer krime të tjera. Pjesa më e madhe e tyre kanë një emërues të përbashkët, misionet jashtë vendit.

Këta janë disa prej emrave të ish-ushtarakëve dhe ushtarakëve që u bënë lajm i kronikës së zezë, si duke vrarë, duke grabitur apo dhe duke i dhënë fund jetës.

1 janar 2013
Nënoficeri i Forcave Komando të Ushtrisë Aldo Morina ekzekuton me armë zjarri 53-vjeçarin Mehmet Beqiri i cili punonte si taksist. Aldo Morina e ekzekutoi taksistin në mjetin e tij. Pas vrasjes u dorëzua në polici.

Nga hetimet e prokurorisë doli se shkak për vrasjen ishte një lidhje midis nënës së nënoficerit dhe Mehmet Beqirit. Para prokurorëve Morina tha se shkaku që vrau 53-vjeçarin ishte se ai dhunonte dhe kërcënonte vazhdimisht nënën e tij për të vijuar lidhjen.
Në përfundim, Morina u dënua me 12 vite burg, por për shkak të Gjykimit të Shkurtuar dënimi i zbriti në 8 vite.

28 tetor 2013
Nënoficeri i forcave komando, Mariglen Bramati vret veten me armë zjarri. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 28 tetorit të 2013, në orën 20:20 minuta në zonën e Shkozës. Bramati humbi jetën në spital.

Babai i tij tha për mediat, se djali i tij kishte kaluar në depresion pas 5 misioneve një herë në Irak, dy herë në Çad dhe dy herë të tjera në Afganistan.

9 shtator 2013
Në zonën e ish-bllokut, nënoficer Ndriçim Balla vret me armë zjarri një person dhe plagos një tjetër. Viktima ishte shtetasja Majlinda Hoxha ndërsa i plagosur mbeti Elton Fusha. Hetimet përcaktuan se Elton Fusha ishte objektivi i vërtetë i Ndriçim Ballës. Shkak, ishte një borxh që Elton Fusha i kishte vëllait të autorit të krimit Ndriçim Ballës.

Megjithëse Ndriçim Balla, nuk e pranoi në asnjë moment krimin ai u dënua me 35 vite burg nga gjykata.

29 janar 2015
Një helikopter që po transportonte 1 ton hashash qëllohet nga Garda Civile e Spanjës në zonën e Malagës. Helikopteri u rrëzua dhe humbi jetën piloti që e drejtonte. Ai ishte Sokol Feka, instruktor në bazën Ajrore të Farkës. Feka ishte pjesë e Forcave Ajrore prej 18 vitesh dhe kishte gradën Major.

Pas ngjarjes komshinjtë e Sokol Fekës, për mediat u shprehën se familja e majorit ishte në vështirësi financiare. Një pronar i një dyqani, tha se Majori Sokol Feka merrte ushqime me listë në dyqanin e tij. Sipas fqinjëve, Feka jetonte me qira dhe kishte probleme të thella ekonomike.

8 nëntor 16
Medit Hasani ish-anëtar i Forcave Komando, që kishte shërbyer dhe në një mision paqeruajtës në Irak arrestohet. Ai synonte të bënte një sulm terrorist në ndeshjen Shqipëri-Izraeli e cila do të luhej në stadiumin ‘Loro Boriçi’. Plani i Medit Hasanit dhe shokëve të tij u ndërpre nga Zbulimi Ushtarak i Izraelit. Ata përgjuan bisedat e grupit në Skype kur bënin planet për sulmin.

Pas largimit nga Forcat e Armatosura Medit Hasani u lidh me grupet ekstremiste islamike. Madje mendohet se ai ka qenë dhe pjesë e luftimeve në Siri. Rikthimi në Shqipëri u bë nëpërmjet rrugëve tokësore, për të vijuar planin e sulmit në Shkodër.

Hasani besohet se kishte marrë përsipër të ndërtonte apo të siguronte minat me telekomandë, që do përdoreshin gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael në stadiumin e Shkodrës. Plani ka qenë i njëjtë me atë në Paris, ku fillimisht terroristët kanë sulmuar me mina të telekomanduara, duke ngjallur panik dhe terror dhe më pas, anëtarët e tjerë kanë sulmuar civilë të pafajshëm më kallashnikovë.

9 shkurt 17
Në rrugën Tiranë-Rinas, mesditën e 9 shkurtit ndodh një grabitje nga disa persona të maskuar dhe të armatosur. Në total vlera e vjedhur në valutë ishte 3.2 milionë dollarë.

Pas një hetimi të policisë, u identifikua grupi që kishte në përbërje 6 persona. Në këtë grup bënin pjesë edhe dy ish-anëtarë të Forcave Komando Ditjon Memlikaj dhe Naim Avdulaj. Ditjon Memlikaj ka qenë edhe pjesë e misioneve paqeruajtëse në Afganistan dhe Irak. Memlikaj u larguar nga Forcat e Armatosura për shkak të përmbushjes së afateve të gradës, ndërsa Naim Avdulaj u largua për mungesa të shumta në punë.

5 mars 2017
Një ngjarje makabre është regjistruar paraditen e së dielës në fshatin Uji i Mirë në bashkinë e Këlcyrës. Ish-efektivi i Forcave të Armatosura, Alban Voda i ka prerë kokën bashkëfshatarit të tij Nesim Hoxha, 66 vjeç.

Konflikti misi Alban Vodës dhe Nesim Hoxhës kishte nisur që para një viti.
Banorët e fshatit deklaruan për mediat se Alban Voda kishte probleme mendore. Në sallën e gjyqit ai nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese por është shprehur që ‘Mirë ja bëra, se mos është ende gjallë’.

Alban Voda ishte bërë pjesë e forca të armatosura në prill të 2009 dhe u largua në tetor të 2012 me kërkesë të tij. Ai kishte shërbyer në dy misione në Kabul dhe në Herat të Afganistanit.

9 gusht 2018
Enea Xhaja, 29 vjecc, pjesëtar i forcave të NATO-s me detyrë oficer në Bunavi të Vlorës i dha fund jetës duke pirë fostoksinë.

Ndonëse ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Fierit, nuk mundi të mbijetonte. I riu ndërmori këtë akt vetëflijmi, në rrethana që mbeten të paqarta por dyshohet se Xhaja kishte probleme depresioni.

1 tetor 2018
Arjol Mancce, 30 vjeç gardist vret veten më armën e shërbimit brenda Gardës së Republikës. Dyshohet se Mançe e ka kryer këtë akt pas ndarjes nga e dashura. Mançe kishte tri vite që shërbente në Gardë, ndërsa ishte një ushtarak i kualifikuar. Po ashtu mësohet se i riu kishte qenë pjesë e misioneve paqeruajtëse jashtë vendit, si në Irak.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com