Histeria e politikës shqiptare dhe veçanërisht opozitës për të publikuar foto të deputeteve, apo ministrave me të “fortë” nuk ka të ndalur. Eshtë kjo një strategji që Lulzim Basha duket se po e bën me bekimin dhe instruksionin e “babait politik”, ish kryeministrit Sali Berisha. Por në fakt kjo rrugë e ndjekur nuk është asgjë më shumë, veçse një zhurmë pa rezultate dhe një “show” që në vetvete shqiptarët e duan.
Historia na ka treguar se të “fortët” janë të “preferuar” të masës, që me to do të fotografohet, të rrijë krah tyre, e pse jo ti ketë mburojë në cdo gjë. Pasi e tillë është ndërtuar për shumë vite psikologjia e këtij populli, që ka frikë të flasë, të veprojë apo reagojë përpara të fortëve, por zgjedh nënshtrimin.
E madje në shumë raste për fat të keq t’i duartrokase, edhe atëherë kur veprimi i tyre mund të ketë pasoja. Na e ka treguar realiteti edhe i viteve të fundit, kur të gjithë kanë zgjedhur heshtjen dhe nënshtrimin përballë tyre, edhe pse ata përbëjnë pakicën.
Duket se këtë gjë Lulzim Basha nuk e ka kuptuar, pasi ja ka kushtuar aksionin politik, një veprimi sipërfaqësor, kur ka shumëçka me cfarë të merret, pasi Shqipëria është e mbushur me probleme. Madje ai vetë nuk duhet të harroje se “viktimë” e të tilla fotove është edhe ai, lideri historik i PD-së Berisha, e shumë figura të tjera, që krimi i shfrytëzon për tu ekspozuar kur janë në pozita, e për ti përdorur më pas kur ndodhet në ditë të vështira.
Nëse kjo është një shtyllë që do të ngreje Basha si aksiomë politike, nuk do ti shkojë gjatë pa ju shembur, pasi populli nuk ka reaksion ndaj tyre, përkundrazi i kthen në sëmundje virale në rrjetet sociale, duke i larguar vemendjen nga problemet e përditshmërisë dhe i mbush me komente, që nuk shkojnë asnjë hap më tej.
Nëse do të bëjë opozitën, ai ka rastin të thërrasë protesta, jo si ato që ka zhvilluar deri më sot, por si modeli Rumun, apo ndonjë shtet tjetër, që në fund ka rezultate, e jo paktë të fshehta si 18 Maji, ku sërish të humburit janë shqiptarët.
Opozita duhet të jetë zëri real i tyre dhe jo megafoni që zhurmon për të rritur pazarin personal të një individi apo një grupi, që mban firmën dhe vulën e opozitës, por lufton për interesa të ngushta. Krimi është një shqetësim real që e ka vendi të ngulitur prej 28 vitesh, e që për ta zhgulur duhet vullnet i gjithëanshëm, distancim pa asnjë kusht prej tij, reagim popullor dhe mbi të gjitha drejtësi të fortë, që nuk përkulet përpara “të fortëve” që vetë politika i ka forcuar me paprekshmëri, tendera e darka luksoze për vota elektorale!/ShkodraNews