Dyshime thelbësore për pasurinë ka ngritur hetimi administrativ i Komisionit te Pavarur të Kualifikimit për Kryetaren e Gjykatës së Apelit te Korçës, Entela Prifti dhe të të afërmve të tyre gjatë një seance te Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK. Nga Besar Likmeta/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i udhëhequr nga Firdes Shuli si kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Roland Ilia anëtar, mbajti të hënën seancën dëgjimore për procesin e rivlerësimit kalimtar të kreut të Gjykatës së Apelit Korçë, Entela Prifti. Zonja Prifii është shortuar nga Komisioni për shkak të funksionit të saj në krye të Gjykatës së Apelit Korçë. Procesi i rivlerësimit për këtë subjekt është fokusuar tek kontrolli i pasurisë, një nga tre kriteret e procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në këtë kontekst KPK ka administruar raportin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe atë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbi subjektin e rivlerësimit. Sipas raportit të ILDKPKI gjyqtarja Entela Prifti ka bërë deklarim jo të saktë, ka bërë deklarim të rremë, ka fshehje pasurie dhe mungesë burimesh financiare. Për të vërtetuar të dhënat e paraqitura nga raporti i ILDKPKI dhe për të krijuar bindjen e brendshme mbi pasurinë e deklaruar të gjyqtares, KPK ka ndërmarrë një hetim të thelluar dhe të pavarur administrativ ndaj subjektit të rivlerësimit.
Si pjesë e këtij hetimi Komisioni ka marrë në shqyrtim pasuri të paluajtshme në pronësi të subjektit dhe bashkëshortit të saj Z.Petrit Tare, burimin e krijimi të këtyre pasurive, si dhe të ardhurat e personave të lidhur, duke filluar nga vjehrri Bajram Tare, e motra e gjyqtares Çiljeta Prifti dhe bashkëshorti i saj. Relatorja Çiftja deklaroi se subjekti kishte deklaruar në vitin 2012 blerjen e një apartament 55 m2 në Korçë me një vlerë prej 2.8 milionë lekë. Subjekti ka deklaruar se burim për këtë pasuri kanë qenë të ardhurat dhe para të dhuruara nga vjehrri në vlerën 1.6 milionë lekë. Për këtë dhuratë të vjehrrit Bajram Tare kanë shërbyer të ardhurat e tij nga pension në periudhën 1995-2000, dhënia me qira e një banese të vajzës së tij në SHBA, si dhe shitja e këtij apartamenti në vlerën 1.8 milionë lekë. Sipas KPK-së subjekti nuk ka paraqitur dokumentacion për të justifikuar të ardhurat e vjehrrit në vlerën 1.8 milionë lekë.
Në deklaratën periodike të vitit 2005, subjekti ka deklaruar blerjen e një apartamenti 2+1 me sipërfaqe 70 m2 në qytetin e Korçës me vlerë 3.1 milionë lekë, me burim shitjen e një apartamenti të mëparshëm. Në deklaratën veting të vitit 2017, i njëjti apartament është deklaruar me vlerën 1 milionë lekë. Ndërkohë kontrata e shitblerjes së kësaj pasurie ka një çmim prej 1.9 milionë lekë. Në vitin 2004 subjekti ka deklaruar shitjen në vlerën 450 mijë lekë të një automjeti të tipit Renault, të cilin e kishte blerë në vitin 2001 me vlerë 500 USD. Në një transaksion të ngjashëm subjekti ka blerë në vitin 2007 një automjet tip Benz me vlerë 500 mijë lekë, të cilin e ka shitur në vitin 2009 për një vlerë më të lartë të barabartë me 6 mijë euro.
Sipas relatores Çiftja në vitin 2014 gjyqtarja nuk ka deklaruar një transfertë ndaj të motrës Çiljeta Prifti në vlerë 900 mijë lekë. Subjekti gjithashtu është anëtare bordit mbikëqyrës së Shoqërisë së Kursim Kreditit ‘Korçarja’, çfarë bie ndesh me pozicionin e saj si gjyqtare. Më tej KPK ka marrë në shqyrtim një apartament dupleks me sipërfaqe 235 m2, të porositur në vitin 2001 dhe të paguar deri në vitin 2004 me vlerë 4 milionë lekë, ku përfshihet kosto e shitjes 2 milionë lekë, kontratë rikonstruksioni 1.3 milionë lekë dhe mobilimi. Kjo pasuri është blerë nëpërmjet një kredie nga banka FEFAD [tani Pro Credit] me vlerë 40 mijë marka gjermane. Sipas relatores çiftja, subjekti nuk e ka deklaruar këtë pasuri në deklaratën periodike të vitit 2003, nuk ka dokumentacion për punimet e kryera nga kompania
Konstruksion 93’ me vlerë 1.6 milionë lekë dhe as kontratën e porosisë të vitit 2001. KPK nënvizon se vlera e tregut sipas çmimeve të entit të banesave për zonën nuk është 2 milionë lekë, por 7.3 milionë lekë. KPK ka ndërmarrë një analizë financiare të të ardhurave familjare të subjektit në vitet 2001-2004, duke arritur në konkluzionin se ka një bilanc negativ financiar prej 6.8 milionë lekë. Ky bilanc negativ ngre dyshime mbi burimin e vendosjes së disa aseteve, ku përfshihen apartamenti, pronësia e bashkëshortit të subjektit të 8% të aksioneve të kompanisë ‘Beton Plus’ – e themeluar në vitin 2001, likuiditetet në bankë, si dhe të një trualli 10.000 m2 në fshatin Voskopojë.
Subjekti gjithashtu ka deklaruar pronësinë e një banese me sipërfaqe 193 m2 e blerë në vitin 2009, pronësia e të cilës është marrë në 2 forma, gjysma me kontratë dhurimi dhe gjysma kundrejt një vlere 4 milionë lekë. Sipas deklarimeve të subjektit për blerjen e kësaj banese kanë shërbyer dhurata e 1.9 milionë lekëve nga vjehrri Bajram Tare, të konvertuara nga bono thesari, shitja e automjetit Benz me vlerë 6 mijë euro, si dhe kursime nga paga e bashkëshortit.
Ndërtesa është një vilë prej tre katesh me verandë në Blvd. “Republika” në Korçë. Sipas deklaratave periodike subjekti ka marrë në vitin 2011 një kredi 70,000 mijë euro për rikonstruksion e vilës. Në deklaratën veting të vitit 2017 subjekti ka deklaruar se ndërtesa ka një sipërfaqe 193 m2 të brendshme dhe 156 m2 të jashtëme. Ndryshe nga sa pretendon gjyqtarja, sipas KPK kjo ndërtesë ka 3 kate, plus verandë dhe 1 sipërfaqe prej 390 m2. Gjysma e këtij objekti e blerë në vitin 2008 ,kap një vlerë tregu prej 10.3 milionë lekë. Subjekti nuk e ka deklaruar ambientin verandë në deklaratat periodike 2008 -2016, si dhe nuk ka dokumentacion ligjor se ka përfituar 1.9 milionë lekë nga vjehrri, çfarë ka shërbyer si burim për blerjen e kësaj prone.
Gjithashtu, sipas KPK-së në vitin 2012 ky subjekt është marrë me qira nga shoqëria Helzag sh.p.k dhe më pas nga shoqëria ‘Find Four’, por ka mospërputhje në deklarime për qiranë e paguar nga këto shoqëri dhe rreth kostove të përshtatjes së ambientit në bar, restorant. Gjithashtu sipas KPK-së personi i lidhur me subjektin nuk ka paguar tatimin në burim për këtë kontratë qiraje për vitin 2014 në vlerën 2 milionë lekë. Komisioni shprehet se shoqëria “Find Four’ nuk ka pasur burime financiare për pagesën e qirasë prej 5.6 milionë lekë për vitin 2014. Në vitin 2012 subjekti ka deklaruar fitimin e pronësisë së një sipërfaqe prej 519 m2 në qendrën tregtare ‘City Center’ në Korçë. Burim për marrjen në pronësi të kësaj sipërfaqe ndërtimi kanë shërbyer 8 % e aksioneve në shoqërinë ‘Beton Plus’ të bashkëshortit të subjektit, Z. Petrit Tare, të cilat kanë burim një hua prej 5 milionë lekë dhe një hua tjetër prej 1 milionë lekë.
Sipas KPK vlera e aksioneve të Z.Petrit Tare në vitin 2012 në shoqërinë Beton Plus ishte 2.4 milionë lekë, ndërkohë që vlera e sipërfaqes së përfituar llogaritet në 15.5 milionë lekë në kosto ndërtimi dhe 18 milionë lekë në kosto shërbimi. Komisioni gjithashtu gjeti se subjekti nuk ka dokumentacion të rregullt për kredinë 5 milionë lekë nga shtetasi A.B.
Gjithashtu, sipas KPK gjyqtarja Prifti nga dështuar të deklarojë në deklaratat periodike në ILDKPKI të vitit 2003, 2007 dhe 2009, rritjen e kapitalit të shoqërisë ‘Beton Plus’, fillimisht në 6 milionë lekë, dhe më vonë në 9.9 milionë lekë dhe 14.2 milionë lekë. Gjithashtu, për këtë shoqëri KPK shprehet se subjekti nuk ka dokumentacion për pagesat e tatim fitimit.
Sipas KPK-së hetimi administrativ ndaj subjektit ka zbuluar disa llogari bankare të padeklaruar në emër të bashkëshortit Petrit Tare. Në këto likuiditete përfshihet një llogari 2 milionë lekë në vitin 2009 në Bankën Credins. Një llogari 70,000 USD në vitin 2008 në Bankën Credins. Një transfertë në Detroit, Michigan me vlerë 12045 USD në vitin 2000. Si dhe një llogari prej 10233 euro në vitin 2003. KPK shprehet se bashkëshorti i subjektit ka mungesë burimesh financiare për krijimin e këtyre likuiditeteve. Sipas KPK-së subjekti nuk ka deklaruar dhe 2 llogari bankare në emër të fëmijëve në periudhën 2006-2009.
KPK shton gjithashtu se subjekti ka mungesë dokumentacioni për një pagesë qiraje nga kompania ‘Tamto Italy’ me vlerë 2200 euro. Sipas Komisionit kundër subjektit në KPK ka ardhur gjithashtu një denoncim anonim, sipas të cilit subjekti ka fshehur një numër pasurish të paluajtshme në Tiranë në emër të motrës Çiljeta Prifti dhe të bashkëshortit të saj. KPK ka ndërmarrë një hetim ndaj personit të lidhur dhe ka zbuluar se në pronësinë e motrës Çiljeta Prifti në Tiranë është i regjistruar një Apt. 120 m2 dje një garash 90 m2 me vlerë 57 mijë euro dhe 42 mijë euro. Gjithashtu në emër të bashkëshortit është zbuluar një apartament me sipërfaqe 117 metra katrorë dhe vlerë 11.2 milionë lekë, një apartament i tretë me sipërfaqe 60.55 m2 dhe vlerë 6.5 milionë lekë, si dhe një garazh me sipërfaqe 25m2 dhe vlerë 1.7 milionë lekë. Ndërkohë, gjithashtu në Tiranë në emër të babait të bashkëshortit të motrës është zbuluar një apartament tjetër me vlerë 40 mijë euro. Sipas KPK-së pronat e paluajtshme të regjistruara në emër të personave të lidhur me subjektin përputhen me ato të denoncuara nga denoncuesi anonim dhe asnjë prej personave të lidhur nuk ka burime financiare të mjaftueshme.
Në fjalën e saj përpara KPK-së gjyqtarja Prifti dha shpjegime për gjetjet e KPK-së, duke argumentuar se pasuritë e ngritura nga ajo dhe bashkëshorti kishin burime të ligjshme. Ajo insistoi se burim për paratë e dhuruara nga vjehrri për apartamentin me sipërfaqe 55 m2 kishte shërbyer shitja e shtëpisë së vajzës së tij e cila banonte prej shumë vitesh në SHBA. Ajo nuk ra dakord me vlerësimin e bërë nga KPK për koston e apartamentit dupleks, ndërkohë që për sipërfaqen e vilës u shpreh se e kishte deklaruar sipas ligjit, që ajo e kuptonte në sipërfaqen e njollës së ndërtimit dhe jo të kateve. Për huanë me vlerë 5 milionë lekë, e cila kishte shërbyer si burim për aksionet në Beton Plus, të shkëmbyera me sipërfaqen e ndërtimit 519 m2 në qendrën tregtare ‘City Center’, ajo u shpreh se ishte marrë nga shtetasi Afred Bushi, i cili kishte burime financiare. Ajo shtoi se shoqëria ‘Beton Plus’ nuk kishte shpërndarë asnjëherë divident dhe për këtë arsye nuk e kishte deklaruar rritjen e kapitalit të saj në ILDPKPKI.
Sa i përket llogarisë 2 milionë lekë të zbuluar në emër të bashkëshortit në Credins Bank në vitin 2008, subjekti u shpreh se ishte konvertimi i bonove të thesarit të vjehrrit nga Banka e Shqipërisë, të cilat ishin dhuruar për blerjen e apartamentit 55 m2. Pagesa drejt Michiganit me vlerë 12045 USD ishte bërë për një detyrim të vjetër familjar nga bashkëshorti Petrit Tare ndaj motrës së tij. Sipas subjektit shuma prej 10,233 euro në Credins Bank ishte pagesa e fundit e bërë për kredinë e marrë nga FEFAD. Për depozitat e fëmijëve ajo u shpreh se ka vlerësuar se këto depozita nuk deklaroheshin, dhe për këtë arsye është gjobitur me një masë administrative prej 10 mijë lekë nga ILDKPKI. Për të shpjeguar likuiditet e padeklaruara subjekti gjithashtu deklaroi se në emër të bashkëshortit në vitin 2004, Banka Credins kishte depozituar gabim 2 çeqe të ndërmarrjes së Ujësjellësit ku ai punonte. Ndërkohë, në vitin 2009 bashkëshorti Petrit Tare kishte këmbyer në gusht 2009 në valutë një vlerë prej 3.6 milionë lekë për shtetasin Roland Liço, pasi bashkëshorti kishte normë konvertimi preferenciale.
Sa i përket depozitës prej 70,000 USD, Prifti tha se këto para i përkisnin një mikeshë të familjes që i kishte sjellë në Shqipëri nga Selaniku ku punonte si avokate për investim nëpërmjet bashkëshortit të saj, por pastaj i kishte tërhequr ‘cash’ në dy pjesë. Gjyqtarja Prifti shtoi se të ardhurat nga qiraja e vilës e marrë nga kompanitë ‘HelzaG’ dhe ‘Find Four’ ishin të ligjshme. Gjyqtarja gjithashtu depozitoi në KPK prova të reja për burimet financiare të motrës dhe bashkëshortit të saj, si të ardhurat e këtij të fundit dhe të vjehrrit të motrës si punonjës dhe konsulent për kompani ndërkombëtare nafte në Fier, duke argumentuar se ato kishin burime financiare për apartamentet dhe garazhet e regjistruara në emrin e tyre në Tiranë. Në fund të seancës, e shtyrë nga thirrjet e vazhdueshme të kryesues Shuli për të qenë më koncize, gjyqtarja Prifti kërkoi që ne vlerësimin e saj të merreshin parasysh dhe kriteret e profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës. Ajo i kërkoi trupit gjykues të merrte një vendim ‘pozitiv’ dhe ta konfirmonte në detyrë. Vendimi për gjyqtaren Prifti do të merret me datë 10 tetor ora 10:00.