Deklaratat e Presidentit grek Pavlopoulos se çamët kanë bashkëpunuar me nazistët dhe se kjo çështje duhet harruar nga pala shqiptare janë komentuar ashpër nga Shpëtim Idrizi. Kreu i PDIU e cilësoi arrogante deklaratën e presidentit grek dhe shtoi se ai u kthye në vendin e krimit ku janë vrarë qindra burra e gra çame, në Paramithi. “Ajo deklaratë është e papranueshme dhe arrogante. U bë në Paramithi të Çamërisë ku u mashtruan 72 krerë të Çamërisë me okupimin e saj, apo në 1944 u masakruan 600 burra e gra. Pra ai u kthye në vendin e krimit.
Rruga e integrimit kalon nga Brukseli, Uashingtoni dhe assesi nga Athina. Dhe për shqiptarët e Çamërisë është një çështje nderi dhe drejtësie. Pavlopoulos duhet të jetë i ndershëm. Mjafton që të na nxirrni një foto apo një provë që shqiptarët e Çamërisë kanë kryer një krim. Tragjedia mbi shqiptarët e Çamërisë ka nisur që në vitin 1913 dhe ka vijuar në mënyrë sistematike. Më vjen keq qe ne asnjëherë nuk kemi akuzuar as qeverinë greke as popullin grek. Presidenti grek vetë u bë pasardhës i Napolon Zervës. Ata që bashkëpunuan me fashistët i ka në parlamentin e Greqisë apo në ministrinë e mbrojtjes, Kameno.
Nëse ka pasur ndonjë qeveri që ka bashkëpunuar me gjermanët kanë qenë qeveritë greke. Ajo që më bën përshtypje është heshtja e shtetit shqiptar. Po presim akoma një përgjigje nga Presidenti, kryeministri apo ministri. Për shkak të ndryshimit të sjelljes në 360 gradë që ka kjo qeveri është bërë arrogant dhe plaku Pavlopoulos. Qeveria shqiptare duhet të hapë me urgjencë debatin publik për Çamërinë. “Duhet t’i kujtoj Pavlopoulos që të kthehet minimalisht në pozicionin e një burri të madh siç është presidenti Havel i Çekisë, i cili dhe për pjesëmarrjen e studentëve kërkoi falje publike. Pavlopoulos nuk është në atë nivel, ai po vetëakuzohet. Po trimërohet nga idiotët e dobishëm të Tiranës.
Një shtet që nuk njeh gjenocidin, që nuk njeh Kosovën duan ta bëjnë partner strategjik.
Ne jemi adresuar ministrit Bushati për të kuptuar më shumë se çfarë ka bërë për rezolutën çame për kërkesat e çamëve dhe jo vetëm që nuk kemi marrë një përgjigje por ministri Bushati nuk ka denjuar të takojë as shoqatën ‘Çamëria’ as PDIU-në kur deri dje takoheshim dy herë në ditë. Pjesa më e madhe e marrëveshjes greke është kryer tashmë. Kemi marrëveshjen e toponimeve. Kanë bërë sot ligjin për minoritetet ku Shqipëria del për herë të parë me 9 minoritete, duke zgjeruar edhe konceptin e zonës minoritare. Nuk e mendoja kurrë që për Edi Ramën dhe Bushatin të masakruarit e Çamërisë nuk vlejnë njësoj si ushtarët grekë”, deklaroi në neës 24 Idrizi.