Një i ri ka vdekur në spitalin e Beratit në rrethana ende të paqarta. Pas vdekjes së 31-vjeçarit Marinel Veleshnja në Repartin e Urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit, familjarët kanë akuzuar për “mjekim të pakujdesshëm” mjeken e këtij reparti, Arjola Xheblati për të cilën tashmë ka nisur procedimi penal.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme, pas mbërritjes së të riut në spital, ku edhe ndërroi jetë 30 minuta më vonë.
Familjarët kanë denoncuar në polici mjeken Arjola Xheblati për “mjekim të pakujdesshëm”. Burime të brendshme të Drejtorisë së Policisë së qarkut Berat bëjnë me dije se menjëherë pas denoncimit të bërë nga familjarët, efektivët e policisë kanë sekuestruar si provë materiale kartelën mjekësore të 31-vjeçarit dhe autopsinë që u krye në Morgun e Spitalit Rajonal të Beratit dhe e kanë dërguar çështjen për ndjekje penale në organin e Prokurorisë së rrethit të Beratit.
Nga kjo e fundit konfirmohet se dosja në ngarkim të mjekes ka mbërritur në këtë institucion dhe do fillojnë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Mjekja e repartit të Urgjencës, 29-vjeçarja Arjola Xheblati akuzohet për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm” gjatë kryerjes së ushtrimit të profesionit të saj. Në lidhje me këtë vdekje, drejtuesit e Spitalit Rajonal Berat konfirmojnë se viktima ka mbërritur në spital në gjendje të rëndë dhe pa shenja jetike.