Policia është përballur 5 ditë më parë, me një hall tjetër, të cilit, për shkak të paaftësisë, lidhjes me krimin dhe ngarkesës së madhe që ka krijuar bota e mafias, nuk mund t’i japë dot drejtim për zgjidhje, mbasi nuk ka lidhje me cilësinë e këpucëve të policëve, por me municion shpërthyes luftarak, që nuk është më në duart e shtetit.
Një informacion zyrtar, i depozituar nga Ministria e Energjetikë-Infrastrukturës, ka njoftuar ministrin Xhafaj, se në depot e firmave të licencuara, që ushtrojnë aktivitet në gurore, miniera, naftë, rrugë, HEC-e, ujësjellësa dhe biznese të tjerë ndërtues e nxjerrës, mungojnë kapsolla dhe sasi të mëdha lënde plasëse, të llojit amonit e dinamit.
Konstatimin e ka bërë vetë ministria “Gjiknuri”, si institucioni, që me VKM Nr. 315, datë 05.05.2010, ka të drejtën “monopol”, për të dhënë lejet e importit dhe furnizimit me lëndë plasëse, për firmat që ushtrojnë aktivitet prodhimi e shërbimesh më këto lëndë, pajisur me konfirmim paraprak nga QKB dhe AKBN.
Skandali është zbuluar, pas një kontrolli vjetor rutinë, lidhur me sigurinë dhe administrimin e lëndëve plasëse, ku bëhet monitorimi (përllogaritje) tekniko-ekonomike, në raport me volumet e punëve, që kanë realizuar firmat private.
Nga ky kontroll, rezultoi se në depot e 397 bizneseve, mungojnë 18 ton e 123 kilogramë lëndë plasëse “amonit” e “dinamit” dhe 5000 copë kapsolla e 2700 metër fitil zjarr-përcjellës, që kanë nisur të kërkohen, duke angazhuar shërbimet e krimit ekonomik dhe anti-terrorit të policisë.
Këto sasi lëndësh plasëse, kapsolla e fitil shpërthimi, figurojnë në librat e magazinave të bizneseve, por mungojnë fizikisht, ndërkohë që në librat e aktivititetit ditor, javor e mujor, janë regjistruar, si të “konsumuara” në punime shtesë, ose me proces-verbale “skadencash”, por të cilëve, u mungojnë procedurat ligjore, të administrimit, konservimit dhe asgjësimit mbetjeve të lëndëve plasëse.
Pasi janë marrë në pyetje, magazinerët e lëndëve plasëse, si marrës shumice nga tregu dhe zjarrmëtarët, si përdorues ditor pakice, të këtyre lëndëve shpërthyese, në bazë të deklarimeve të tyre, është bërë rakordimi me “letrat”, që nga importi e hyrja në dogana, depozitimi në distributorët e shumicës dhe deri tek pikat fundore, që janë bizneset minerare, si përdorues.
Hetimi për të zbuluar, “duart” që kanë nxjerr lëndët plasëse nga depot, mendohet të nis pas marrjes në pyetje, të administratorëve ekonomikë e ligjorë të firmave private, për të vijuar me “gjurmimet” në terren, nga 45 agjentë që do të infiltoren si “blerës e hallexhinj”, në këtë rrjet të tregut ilegal, të lëndëve e materialeve plasëse.
Sipas informatave të para, dyshohet se lëndët plasëse, kapsollat dhe fitili, kanë rënë në duart e individëve e grupeve të krimit, por mund t’u jenë shitur edhe qytetarëve të ndryshëm, të cilët kryejnë shërbime private të paligjshme, si peshkim, nxjerrje gurësh, shkulje rrënjë pemësh, hapje pusesh uji e rrugësh malore, nëpër kullota
Në epiqendër të hetimit, do të vihen edhe 21 firma minerare, sidomos HEC-e, gurore, e ndërtim rrugësh, të cilat kanë ndërprerë aktivitetin, por nuk kanë dorëzuar lëndët plasëse dhe materialet ndihmëse shpërthyese./Pamfleti