Presidenti Ilir Meta, në nisje të vizitës zyrtare në Austri, vlerësoi balerinin dhe koreografin e famshëm shqiptar, Eno Peçi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të dhënë si ambasador i kulturës shqiptare në skenat austriake dhe ato botërore”.
Në ceremoninë e dekorimit, që u zhvillua në Vjenë, ishin të pranishëm Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Austrisë e personalitete të artit.
Në fillim të veprimtarisë, u shfaq për të pranishmit një film dokumentar për Eno Peçin, i realizuar nga producenti Gjergj Mazi.
Meta mbajti një fjalë përshëndetëse, ku u shpreh se “ndihem krenar dhe i lumtur që ai është i admiruar dhe i duartrokitur këtu në Austri dhe në shumë skena prestigjioze botërore”.
Meta falenderoi zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë për mbështetjen e këtij aktiviteti ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Vjenë gjatë këtij viti të veçantë.
“Nën drejtimin e spikatur të Ministres së Punëve të Jashtme të Austrisë, zonjës Kneissl, të cilën pata rastin ta takoj në Tiranë disa ditë më parë, ky vit vjen me moton: “Të rizbulojmë të përbashkët tona / (Gemeinsames neuentdecken)” si Viti Kulturor Austri-Shqipëri 2018! Kjo është një tjetër dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Austrisë”, tha kreu I Shtetit.
“Dëshiroj gjithashtu ta shfrytëzoj këtë mundësi të mrekullueshme për t’i shprehur zyrtarisht z.Peçi vlerësimin tim për arritjet në karrierë, duke u ngjitur deri në majat e kërcimit klasik. Në shenjë mirënjohjeje për talentin e tij të spikatur dhe kontributin e tij si ambasador i shkëlqyer i imazhit të Shqipërisë në Austri dhe nëpër botë, unë kam nderin t’i akordoj atij këtë mbrëmje një nga titujt më të lartë të Shqipërisë, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”,tha Meta.
Në përfundim Meta tha se “jam i sigurt se zoti Peçi do të vazhdojë të mahnisë dhe të na befasojë me performancën e tij të shkëlqyer si balerin edhe në të ardhmen. Dhe ne shqiptarët do të jemi shumë krenarë që kemi një artist të tillë të klasit botëror”. /atsh