Kujtim Koxha, ish-kryetar i PS-së në zonën ku ndodhi masakra, nuk ka shfaqur pendesë për masakrën e kryer.
Ai është shprehur në Polici se e kishte kryer krimin për të vendosur dinjitetin e tij para banorëve të tjerë, të cilët e kishin parë teksa atë e kishin goditur punonjësit e bashkisë, që kishin ardhur të shtronin rrugët e fshatit.
“Nuk jam penduar. Ata më qëlluan dhe mua më panë edhe banorë të tjerë se si më qëlluan. Më fyen para bashkëfshatarëve të mi dhe unë s’mund ta duroja dot që ata të më tallnin më vonë, ndaj edhe shkova dhe mora armën”, është shprehur në Policinë e Burrelit autori i ngjarjes së rëndë, ku mbetën të vrarë dy punonjësit e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve Mentor Hoxha, 36 vjeç, nga fshati Burgajet, Erzen Alia, 49 vjeç, nga fshati Zenisht dhe Hamit Buçi, 43 vjeç nga fshati Shëlli ku ndodhi edhe ngjarja). Gjithashtu, mbeti i plagosur edhe punonjësi tjetër i bashkisë, Astrit Hani, 40 vjeç, po nga Zenishti.
Mësohet se në këto tri ditë pas krimit të rëndë, Koxha është braktisur nga familja e tij. As e shoqja dhe as katër fëmijët e tij, të cilët sipas të dhënave janë të martuar të gjithë, nuk kanë ardhur ta shohin atë apo t’i sjellin ndërresa të tjera, shkruan Panorama.
“Duket më i qetë se ditën e ngjarjes kriminale. Të afërmit nuk kanë ardhur për ta takuar apo për t’i sjellë ushqime e veshmbathje. Për momentin duket i braktisur nga të gjithë.
I është thënë se ka të drejtë të mbrohet me avokat, por Kujtim Koxha nuk ka pranuar. Ai shprehet se avokatin do ta sigurojë vetë”, thanë burime nga Policia e Burrelit.