Të shtëna nga të katër anët dhe sherr mes njëri tjetrit që nuk po zbërthehet dot nga organet e drejtësisë është ajo që ka ndodhur në Bllok ku u përfshi edhe këngëtarja e njohur Elvana Gjata, e cila është shpallur në kërkim nga policia. Gazeta Shqiptare zbardh dëshminë e njërit prej të përfshirëve në këtë ngjarje Ervis Martinajt.
DËSHMIA E ERVIS MARTINAJT/Gjykata ka pyetur mjeken e pranishme nëse personi nën hetimi (Martinaj) është në gjendje për të folur. Mjekja është përgjigjur se është në gjendje për të folur. Ndërsa vetë Martinaj ka thënë: “Po, mund të flas, thjesht qafën kam të paralizuar”. Më pas 36-vjeçari nën hetim ka dëshmuar për ngjarjen: “Unë, si puna e atyre dy çunave njoh gjithë Tiranën. Në këtë ngjarje kanë qenë palë në konflikt dy persona që kanë hyrë nga jashtë. Personat që kanë qenë të pranishëm fillimisht në lokal nuk kanë lidhje me ngjarjen. Kur unë po pija me Ervin Matën dhe Redin kanë hyrë dy persona nga jashtë lokalit. Njërin prej tyre e njoh, quhej Fabi, ndërsa tjetrin nuk e njoh dhe ata të dy kanë pasur konflikt me një tavolinë tjetër. Të gjithë të tjerët në lokal i kam miq dhe s’kam pasur asnjë konflikt me ta. Kur ata po konfliktoheshin, unë jam futur në mes për t’i ndarë dhe besoj që jam plagosur pa dashje nga “Kokëmadhi”.
Ai më gjuajti me refleks, pasi nëse ai do të më vriste, i kishte të gjitha mundësitë, pasi unë në tokë i shtrirë isha. Nipçja në ato momente (Elion Hata), i cili ishte në tavolinë me mua i tha ‘Kokëmadhit’: ‘Mos, çfarë bëre, t’u thafshin krahët’ dhe ai në këto momente është goditur. Vetëm oficeri i komandës ka qëlluar. Unë u hodha në mes, isha me gotë vere në dorë për të qetësuar situatën. Unë e njoh Fabin, kisha 4 muaj pa e parë”. Gjatë dëshmisë së tij, Ervis Martinaj ka folur për viktimën Fabian Gaxhajn, për të cilin është shprehur se ishte shumë problematik dhe për këtë arsye nuk e afronte në miqësi. “Ai para 5 muajsh ishte diagnostikuar me kancer dhe sipas mje-këve, atij i kishin ngelur edhe shumë pak muaj jetë. Kjo vërtetohet edhe me raportet, pasi ai nuk ishte mirë nga mendtë kohët e fundit. Ai ishte çuni i dajës tim, por ishte shumë konfliktual dhe kishte bërë disa konflikte rresht. Me Fabin vriteshe edhe për një shikim. Këngëtarja s’ka lidhje fare”, ka pohuar Martinaj.
I pyetur nga gjykata nëse e kishte lënë me Matën për t’u takuar, Ervis Martinaj ka deklaruar: “Me Ervin Matën s’kam pas lidhje fare. Me të jam takuar rastësisht. Unë jam rritur me babën e Ervinit. Vetëm Fabi është fajtor në këtë mes, por sherri nuk ishte aq i madh sa për të goditur aq shumë plumba. Unë isha ai që i thashë Fabit ‘mos’ se po të mos kisha ndërhyrë unë, ‘Kokëmadhi’ do të kishte vdekur sot, pasi ai e kishte të pamundur të qëllonte se e kishin kapur nga krahët e s’kishte mundësi të nxirrte armën. Ai u tregua legen, pasi kur unë i thashë Fabit, ‘mos çfarë po bën’, ai gjuajti me refleks.
Do të ishte Fabi gjallë dhe nipçja ime nuk do të kishte vdekur, se ai i vdekur është. Jeni duke rënë në qafë kot, pasi unë isha duke pirë një gotë. Unë në spital kam shkuar vetë me një taksi. Nëse nuk do të kisha shkuar për 3 minuta, do të kisha vdekur, pasi kisha humbur 2.5 litra gjak”. I pyetur nga gjykata se dy personat u konfliktuan me sy para se të hynin në lokal, personi nën hetim (Martinaj) tha: “Ervin Mata është një dele. Ai tani do të jetë në një copë dhomë, duke pirë. Unë s’kam asnjë lloj konflikti me të, por do të flas me babin e tij dhe do i them të vijë të sqarojë. Ai ka frikë se mos ngel në burg, se ju e arrestoni, e mbani kot”.