Gazetari investigativ, Artan Hoxha, ka bërë një paralajmërim të frikshëm, lidhur me ngjarjet kriminale. Hoxha është shprehur se seriali i ekzekutimeve në Tiranë do të vazhdojë, pasi sipas tij, është prishur oazi i qetësisë në kryeqytet.
Ai e ka bërë këtë deklaratë në studion e Report Tv, teksa po komtentonte atentatin në ish-Bllok, që tronditi kryeqytetin dy ditë më parë, ku mbeti një i vrarë dhe disa të plagosur.
“Do të kemi një serial tjetër. Oazi i qetësisë në Tiranë është prishur”, tha gazetari Hoxha. Sipas gazetarit, autori i atentatit në ish-Bllok, efektivi i komandos, Merviol Bilo, është pjesë e ‘beretave të kuqe’, njësisë elitë.
Lidhur me këtë, Hoxha theksoi se këta lloj njerëzish ‘beretat e kuqe’ nuk duhet të lihen rrugëve. “Ne e dimë se çfarë i bënë kryeministrit serb, e vranë ‘beretat e kuqe’, njësia elitë e forcave serbe”,tha ai. Vrasja e kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç, në vitin 2003 nga ‘beretat e kuqe’ tronditi gjithë botën.