Ministria e Mbrojtjes ka vendosur së fundmi të shpallë një ankand që ka në objekt shitjen e avionëve, anijeve apo mjeteve të blinduara për skrap. Në dokumentin e bërë publik nuk jepen detaje sa sa është sasia e mjeteve që do të shiten por duke i ndarë në kategori vihen re katër të tilla. Vlera fillestare me të cilën do të dalin në shitje këto objekte është mbi 166 milionë lekë apo pak më shumë se 1.5 milionë dollarë.
“Objekti i shitjes përbëhet nga anije, avionë, mjete të blinduara, armatim, mjete dhe agregate për skrap. Artikujt objekt ankandi përpara shitjes duhet tu nënshtrohen proceseve të shkatërrimit në zbatim të udhëzimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA nr. 9009, datë 13.10.2010 “Për procedurat e çmilitarizimit, çmontimit e shkatërrimit të armëve, teknikës luftarake dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura”. Artikujt objekt ankandi shiten në gjendjen që janë (të çmilitarizuar) dhe procesi i shkatërrimit është përgjegjësi e blerësit. Autoriteti shitës do të lejojë daljen nga repartet ushtarake ku ruhen materialet, vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i shkatërrimit në përputhje me udhëzimin e sipërcituar” thuhet në dokumentin e shpallur nga Drejtoria e Përgjithshme Ekonomike e Shërbimeve Mbështetëse pranë Ministrisë së Mbrojtjes .
Referuar ndarjes në lote të procedurës thuhet se në kategorinë e parë “mjete të blinduara armatim dhe element të tyre” metali në përbërje është çelik dhe vlera fillestare e ankandit nis nga 78.6 milionë lekë. Në grupin e dytë “mjete ajrore” metali është çelik dhe duralumin 150 ton me një vlerë 21 milionë lekë.
Në grupin e tretë janë “mjete dhe pajisje detare” ku në përbërje ka çelik, bronz në një masë më të vogël dhe alumin me një vlerë totale si lot prej 27 milionë lekë. E fundit është kategoria e pajisjeve agregate tokësore ku ka çelik, bakër dhe alumin me një vlerë fillestare për ankandin 38.5 milionë lekë. Në të gjitha rastet vlera nuk përfshin tatimin mbi vlerën e shtuar. Ofertat duhet që të dorëzohen brenda datës 22 tetor.