October 31, 2018

“Drekat në restorante luksoze”, Pëllumb Xhufi: Si Greqia dhe Serbia financojnë media e politikanë shqiptarë

Në Greqi ka një patologji antishqiptare dhe kjo nxit provokimet të tilla si ajo e ngjarjes në Bularat, ku mbeti i vrarë minoritari grek Konstantinos Kaçifas. Kështu vlerëson historiani i njohur Pëllumb Xhufi i cili teksa flet për gazetën “Panorama”, e ka cilësuar sjelljen e të riut grek, si ekstremiste e të ndikuar dhe nga qarqet nacionaliste, që duket se frekuenton në Athinë. Historiani shpreh shqetësimin se varrezat masive të ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore mund të kthehen në vend pelegrinazhi, me rrezik provokime të rënda.

Incidentin e Bularatit duhet ta marrim si një rast sporadik të provokuar nga një person me probleme mendore apo si një provokacion i paramenduar, nëse analizojmë faktin se kush përfiton prej tij?Nuk dua t’i qasem problemit të personit, nëse ishte me probleme mendore, depresiv etj.. Dua të them atë që duhet thënë në të tilla raste, që ndiej keqardhje për humbjen e një jete njeriu, cilado qoftë kombësia apo shtetësia e tij, një bir nëne dhe në fund të ditës, ajo që duhet të ndiejmë është keqardhje për ngjarjen që ndodhi. Përsa u përket rrethanave, arsyeve për shkak se ngjarjet në marrëdhëniet tona me Greqinë politizohen, mund të them se kjo është një ngjarje si shumë të tjera që ndodhin për fat të keq në Shqipëri. Ka ndodhur edhe aty afër Bularatit, përplasje të forcave të rendit me individë që thyejnë ligjin, me kriminelë, trafikantë e vrasës dhe kanë përfunduar dhe me viktima nga forcat e rendit. Në Lazarat u vra një anëtar i forcave speciale, sepse u qëllua nga një bandit shqiptar i atij fshati gjatë një aksioni policor.

Nga i riu Konstantinos Kaçifas, anëtar i minoritetit grek, pati një qëndrim ekstremist, i cili binte ndesh edhe me zhvillimet që kishin ndodhur në 28 tetor në Bularat. Aty pati një ceremoni normale përkujtimore për të rënët, ekzekutim himnesh, shqiptar dhe ai grek, me pjesëmarrjen e personaliteteve si shqiptare edhe greke, u kënduan këngë dhe u recituan vjersha dhe në një moment të caktuar, ky i ri, i cili kishte ardhur nga Greqia, ndoshta edhe i ngarkuar nga mjediset ekstremiste që frekuenton, siç duket dhe në faqen e tij në “Facebook”, ka bërë një veprim të rrezikshëm, ka përdorur armët kundër forcave të rendit, është ngjitur mbi fshat dhe ka rrezikuar jetë njerëzish.
Kam informacion që në dy raste, forcat tona speciale, të cilat për fat të mirë kanë pajisje moderne, u kanë shpëtuar plumbave të Kaçifas nga jeleku antiplumb dhe helmeta. Por për fat të keq, ndodhi eliminimi i të riut Kaçifas, i cili ndërmori një veprim të palogjikshëm.

Si i vlerësoni reagimet politike që erdhën menjëherë nga Ministria e Jashtme greke? Me Greqinë ka një problem të madh në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe jo vetëm me Shqipërinë. Në Greqi ekziston një patologji antishqiptare, kjo është një e dhënë historike me të cilët për fat të keq, duhet të jetojmë. Mjafton të shohim momentet kryesore të historisë që na kanë lidhur me këtë vend. Reagimet nga opinioni grek ishin të pritshme për atë opinion që e gjen veten në radhët e Agimit të Artë, të egra, jocivile për një vend si Greqia me një traditë demokratike të hershme, por dhe për një histori gati 30-vjeçare bashkëjetese me shqiptarët aty. Por kemi qëndrime ekstreme edhe në qeverinë greke, siç është ministri i Mbrojtjes Kamenos, i cili përfaqëson një parti të ekstremit të djathtë. Në këtë kuptim, them se deklarata e Ministrisë së Jashtme greke ishte e matur, ku shprehej keqardhja për humbjen e jetës së Kaçifas dhe kërkoheshin shpjegime për rrethanat e ngjarjes. Kjo më dukej normale.

Përkundrazi, më pëlqeu deklarata e ministres greke të Kulturës, zonja Zorba, e cila jepte pasqyrën e saktë të ngjarjes për shkak të prezencës së saj në Bularat. Ajo e përshkruan si një festë dinjitoze, që nuk legjitimonte daljen e një të riu me armë kundër forcave të rendit, i cili mesa duket kishte ardhur pikërisht për këtë qëllim dhe që është mesa duket i irrituar pikërisht nga mbarëvajtja e këtij manifestimi. Edhe në një nga mesazhet e tij në “Facebook”, Kaçifas shprehej kundër frymës së bashkëpunimit që po ndërtojnë Kryeministrat Rama dhe Tsipras. Madje, ai nuk ishte i kënaqur dhe me organizimin e këtyre festimeve të përbashkëta mes dy vendeve, sepse mesa duket, ai i konsideron marrëdhëniet mes dy vendeve si marrëdhënie në situatë lufte, pra në mendjen e tij ligji i luftës mes dy vendeve është në fuqi. Unë mendoj se këtu duhet të mbarojë kjo histori dhe pse ai do të përcillet sipas zakonit edhe nën shoqërinë e periferisë ekstremiste greke, por jam i bindur se opinioni grek nuk do të ishte dakord që kjo ngjarje të politizohej, të ekstremizohej.

Në opinionin mediatik grek, deklarata e Kryeministrit Rama është cilësuar jo e përshtatshme, i cili e quan Kaçifan një marrëzi ekstremiste. Unë e kam thënë dhe herë të tjera që zoti Rama me daljet e tij në rrjetet sociale, nuk më duket një gjë e menduar mirë prej tij sepse një dalje e një Kryeministri, që është niveli i lartë i qeverisë, për çështje dhe banale, krijon probleme aty ku nuk ekziston problemi. Ne shohim që edhe Presidenti amerikan Trump gjen belanë shpeshherë nga postimet e tij në rrjetet sociale. Zoti Rama do të ishte mirë që të aktivizonte ushtrinë e madhe të nëpunësve, as ministrin e Jashtëm jo, ka zëdhënësa që të jepnin një qëndrim zyrtar. Megjithatë, mua nuk m’u duk se mesazhi i tij ishte provokativ apo shprehte ndonjë nacionalizëm. Ai shprehte keqardhjen e humbjes së jetës së një njeriu, por njëkohësisht dhe kënaqësinë që nuk u humbën jetë të tjera civile prej autorit, gjë që mund të ndodhte.

Ngritja e këtyre varrezave, ju e keni thënë dhe më parë, përbën një lloj provokimi për incidente të tilla? E kam thënë këtë që kur qeveritë greke e kishin vënë si prioritet hapjen e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri. Këto varreza në këtë formë dhe në këtë vijë gjeografike, që përfshin të ashtuquajturin Vorio- Epir, bëhet me një nëntekst të caktuar politik dhe rivendikues. Ngritja e varrezave masive bëhet e dyshimtë nga momenti që lufta italo-greke e vitit 1940 në atë kohë nga qeveritë greke, por dhe nga shumë qeveri greke të pasluftës, është konsideruar si një luftë e Greqisë me Shqipërinë për të justifikuar mbajtjen në fuqi të ligjit të luftës, madje në vazhdim për të justifikuar pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë.

Unë kujtoj gjithmonë që presidenti grek në vitin 1999, gjatë vizitës së sikletshme të Presidentit Klinton në Athinë, ku pati trazira të mëdha për shkak të frymës antiamerikane dhe antishqiptare në Greqi, në atë vizitë, Presidenti Stefanopulos ka folur jo për luftë italo-greke, por për luftë greko-shqiptare. Ajo ishte një deklaratë me përmbajtje ekstremiste nacionaliste, që tregon se politika greke mbetet në disa steriotipe nacionaliste dhe e ka të vështirë të dalë prej tyre. Prandaj, këto varreza, të cilat ngrihen edhe me një qëllim pretendues territorial ndaj Shqipërisë për të treguar se këtu është kufiri i Greqisë me Shqipërinë, do të bëheshin, thoshim ne në atë kohë, një vatër tensionesh e provokimesh. Sot ndodhi një ngjarje e izoluar, ku edhe banorët e Bularatit, minoriteti grek mori pjesë në mënyrë masive te festimet përkujtimore për të rënët dhe nuk e shoqëroi Kaçifan në këtë aksion të vetmuar dhe alogjik. Por nesër, kush e garanton se ata mund të vijnë të organizuar, të veshur jo me uniforma ushtarake, por me kostume për të provokuar një incident me përmasa shumë më të gjëra. Prandaj ne kemi qenë për ngritjen e një memoriali, të njëjtë si ato të ushtarëve të vendeve aleate që kanë ardhur realisht në Luftën e Dytë Botërore për të ndihmuar në çlirimin e Shqipërisë dhe jo për të pushtuar jugun e Shqipërisë, siç ishin forcat greke.

Të mos harrojmë se grekët në 1940 vendosën në Shqipëri një administratë ushtarake, e cila, po të kishte qëndruar edhe disa muaj, hapi i parë që do të bënte do të ishte dëbimi i popullsisë shqiptare nga e gjithë kjo zonë, siç kishin bërë në vitin 1913-1914. Mirëpo, qeveria e Berishës e 2008-s e bëri marrëveshjen me Greqinë për këto varreza, gjë që qeveritë socialiste nuk kishin pranuar ta nënshkruanin deri atëherë. Më e keqja është se kjo marrëveshje nuk përmban nene të veçanta për menaxhimin e ngjarjeve të tilla siç është 28 tetori, ku i gjithë jugu i Shqipërisë, nga Korça e deri në Bularat, do të kthehet në vend pelegrinazhi për grekët. Unë do të thosha se kjo marrëveshje duhet rishikuar dhe duhen përcaktuar rregulla strikte që të disiplinojnë ardhjen e flukseve nga Greqia në këtë datë.

Debati i fundit në qeverinë greke, që solli dhe dorëheqjen e ministrit të Jashtëm Kotzias, lidhet me fondet sekrete për individë dhe media për promovimin e Greqisë ose mbylljen e gojëve kritike ndaj saj. Si i shikoni këto fonde, a kanë ndikuar në Shqipëri? Unë e kam parë dhe në mënyrë praktike kur më është mohuar rasti që edhe të shprehem për çështje që lidhen me Greqinë nga media të caktuara. Kur kam dashur të them diçka, që e kam parë me interes publik, nuk më është lejuar ose në rastin më të mirë, emisioni nuk është bërë për shkak të mungesës së palës tjetër që duhet të më kundërshtonte. Më kanë ndodhur edhe raste që t’i shoh në restorante të mira gazetarë dhe përfaqësues të mediave të drekojnë me përfaqësues të shtetit grek, me një konsull etj..

Nuk është e ndaluar të takosh apo drekosh me një diplomat të huaj.. Më bënte përshtypje fakti se kisha një precedent me ato media, ku emisioni im dështonte apo deklarata ime censurohej ose kalohej e shkurtuar dhe unë nuk kuptoja se përse për një çështje me Greqinë kjo media nuk shprehet. P.sh. e imagjinoni dot që për ngjarjen e djeshme të Bularatit, kjo media të mos shkruante fare ose të godiste qeverinë shqiptare duke mbajtur anën e Agimit të Artë?! Kjo ka ndodhur në të shkuarën. Në këtë rast, unë do të mendoja që media x është e financuar nga fondet sekrete të Ministrisë së Jashtme greke. Financimet sekrete të vendeve të huaja ne i kemi hipotezuar, por deklaratat nga vetë përfaqësues të qeverive të tyre e tregojnë hapur këtë gjë. Millosheviçi e tha hapur në Parlamentin serb se kishte përdorur 10 milionë dollarë për të influencuar në Shqipëri. Këto janë gjëra që bëhen nga shtetet dhe ne duhet të kemi shtetarët tanë që t’i luftojnë dhe kontrollojnë këto fenomene dhe jo të jenë ata vetë përfitues të këtyre fondeve. Prandaj, unë them se duhet një veting edhe në media, edhe në shkencë, në politikë po e po.

Duhen parë cilët politikanë bëjnë pushime në Greqi, me kë i bëjnë, kush ka vilë në ishujt grekë, cilët gazetarë financohen për pushime në Greqi, cilët ushtarakë po ashtu. Të gjithë zullumet i kanë bërë. Politikanët shqiptarë mund të jenë shitur dhe për një vizë apo për një trajtim mjekësor jashtë shtetit. Kjo ka ndodhur me Greqinë, me vendet e BE-së, me Turqinë dhe me SHBA-të etj.. Çdo shtet e bën, këtë mund ta kemi bërë edhe ne kur kemi qenë dikur shtet, kur është punuar për interes të shtetit. Kjo kërkon një shtet juridik të konsoliduar. Ne kemi pasur politikanë që janë mburrur që jam mik i kësaj ambasade dhe atij shteti, sa nuk kanë thënë që jam bashkëpunëtor i atij vendi.

“Drekat në restorante luksoze”, Pëllumb Xhufi: Si Greqia dhe Serbia financojnë media e politikanë shqiptarë Read More »

“Malokët shqiptarë të Manhattanit”

Nga Ilir Seci

Kisha lanë takim te dentisti në Manhattan, aty afer ku punoj, me shkue gjate pushimit që mos me humbe kohen, nji rruge e dy pune si i thone fjales.

Mbasi kreva punë, prita per ashensorin ne katin e 27-të ku kam dentistin…tu u hape dera ndigjoj shqip, nji burre në ashensor i tha “Mirupafshim.” nji grueje qe doli nga ashensori ne ate kat. Grueja ishte e veshun si infermiere dhe hyni te nje dere ku shkruhej “Klinike Private.”

Une hyna në ashensor, ai burri shqiptar qe foli me ate gruen me hodhi nji shikim matës nga kryet e deri te kambet, natyra tipike zhbiriluese shqiptare. Mos me e lane me u torturue i fola shqip.

-“Si jeni a jeni mirë?” -“Miredita” – nxitoi me ma kthy, – “nga te kemi…nga e folura ngjan sikur je nga anët tona …”

Une qesha…sa herë kur njerezit nxitojne me ma caktue origjinen ua la mbarë se kam deshire me pa se ku duen me dale…

-“E andej jam…” – i thashë. -“Me vjen mire” – tha, – “se na mbytën malokët edhe ketu në Manhattan…e pe ate gruan qe doli nga ashensori qëparë? Maloke nga Shkodra…Po që është bërë ndihmësmjeke tjetra se? Punon te klinika e nje mjeku të njohur.”

-“Po ti këtu punon?” – e ngava unë megjithëse e kisha pa nga uniforma qe punonte fshirës xhamash te ai pallat, sepse kishte logon e kompanisë në bluzën e uniformes…”Window Cleaning”.

-“Po kam sa vite qe punoj këtu…çtë bëjmë na duhet të punojmë.” Heshti pak dhe shfryu :

-“Bëjmë punë të rënda se shkollë s’bëmë dot…ajo gruaja nga Shkodra që të thashë fillimisht pastruese ka qenë ketu, beri shkollen tjetra dhe u bë ndihmesmjeke pastaja… Ky vend paskësh qenë për malokët ore burrë…të tërë nga andej jane, nga Shkodra, nga Malësitë. Kam disa nga Kelmendi që punojne këtu…të gjithë ashtu flasin trashë, malokçe.”

-“Më fal” – e pyes une qetesisht, – “çfarë kupton me malokë ti? Kë quani malok sipas mendimit tuaj?”-“Po këta pra që flasin trashë, që flasin malokçe…këta që nuk flasin gjuhën zyrtare.” -“Nga jeni ju?” – e pyeta… -“Nga Skrapari jam.” – tha ia. -“Po ky Skrapari sikur është malesi me duket?” – bana të paditunin une… -“Po malesi jemi por jemi ndryshe…” – nxitoi ai, – “nuk jemi te trashe se nuk flasim trashë…”

-“Pra domethene, ajo gruaja qe ka bërë 4 vjet shkolle në Manhattan dhe është edhe ndihmesmjeke, ngaqë flet malokçe qenka e trashe kurse zotrote që punon pastrues dhe flet gjuhen zyrtare, qenkërke i hollë? Dhe jo veç shkolla… e di ti se Shkodra është vetëm 9 metra mbi nivelin e detit!?”

Mbeti…nuk e priti.

-“Po mirë këtë tjetrën a e di zotrote, që siç na e ka lënë të shkruar Faik Konica, fjala “Malok” per herë të parë është futur në perdorim në shqip nga qytetaret e Beratit të cilet quanin “Malokë” pikërisht Skraparllinjtë!?”

Ai shtangu…kishim zbrite disa kate dhe per pak mbrrinim në katin ku ishte dalja prandaj nxitova me i thanë :

-“Edhe lidhun me ata Kelmendasit qe i quejte të trashë ti, a e din zotnia jote se Vermoshi asht zona e parë në Shqipni që ka pase rrymë elektrike!? Sepse në fillim te shekullit te kaluem kur u ndertue nji hidrocentral ne Mal te Zi, lumi mbi te cilin u ndertue kishte ujna nga Vermoshi dhe ne baze të drejtes nderkombetare duhesh me i dhane energji elektrike asaj zone… Kshtu që Vermoshi ka pase tre brezni me dritë elektrike kur zotnisë tande i kane ardhe “Dritat e Partise” mbasi u ba elektrifikimi i vendit…ajo që ju komunistet hala e queni “Festa e 25 Tetorit 1970”…Që për koinçidencë i takon me qenë dita e sotme… Tre brezni para jush kane pase drite elektrike Vermoshasit e ju prapë vazhdoni e vetëmasturbohuni në komplekse superioriteti.”

Per fat ashensori ndali në katin ku kisha me dale e s’mu desh me ia pa ma bojën…

“Malokët shqiptarë të Manhattanit” Read More »

Digjet flamuri shqiptar në Athinë: Hakmarrje, dëgjoni mirë derra shqiptarë, do kthehemi, do dridhet toka/Video

Ndërsa vijojnë takimet dhe qëndrimet mes liderëve dhe ministrave të dy vendeve, dhejtra shtetas grekë në Athinë kanë djegur flamurin shqiptar, në shenjë protestë për vrasjen e shtetasit Konstandinos Kacifas. Të gjithë njëzëri lëshojnë thirrje raciste dhe kërcënojnë për hakmarrje, ndërsa në banderolat që mbajnë në duart shkruhet “Konstandinos Kacifas i pavdekshëm”.

Ata dëgjohen teksa thonë njëzëri: Gjaku rrjedh dhe kërkon hakmarrje. Çekiç dhe flakë për qentë shqiptarë. Dëgjoni mirë derra shqiptarë, do kthehemi sërish dhe do dridhet toka. Ushtria greke në Vorio Epir, gjaku rrjedh dhe hakmarrje kërkon. Jashtë tani të gjithë shqiptarët. (Video është publikuar nga joq)

https://www.facebook.com/joqalbania/videos/247455182587274/?t=0

Digjet flamuri shqiptar në Athinë: Hakmarrje, dëgjoni mirë derra shqiptarë, do kthehemi, do dridhet toka/Video Read More »

Rama sfidon Bashen nga Hasi: Opozita nuk na mund dot kurrë. Ajo që bëjnë ata s’është as në Kanun

Duket se partitë politike kanë ndezur motorët e fushatës pasi në çdo takim përfaqësuesit politikë kanë filluar me premtimet elektorale. Por këtë herë Kryeministri Edi Rama teksa ka qenë në Kukës, ku ka shpërndarë disa karta anëtarësie, ka shprehur bindjen se opozita nuk fiton dot kurrë ndaj kësaj mazhorance. Për fat të keq kemi kundërshtarë që nuk na sfidojnë, por përpiqen të na godasin me mjete që s’janë mjete jo të politikës, por asnjë tradite shqiptare. Kanuni nuk e ka shpifjen mjet për të komuniku apo bashkëjetu me të tjerët. Shpifja nuk konsiderohet si një mënyrë komunikimi as në Kanun, as në Kushtetutë, as në ligj, mirëpo nga ana tjetër duhet ti mirëkuptojnë, nuk ka mundim dot. Ky është problemi, është problem shumë i madh.

Nuk na mundin dot, nuk dinë sesi mund të na mundin dhe i bien vetes, gjithë kohës, janë bërë si ata që thonë, ‘o tani më jep këtë që dua o do hidhem në erë bashkë me ty’. Por në fakt ajo që do ndodhur është se, do hidhen në erë vetë, se ne prapë këtu do jemi. Ne nuk jemi më sot në Shqipëri, të ndarë në të majtë dhe të djathtë. Kjo është shumë e qartë. Ne në Shqipëri, sot, jemi të ndarë në njerëz që punojnë, që bëjnë gabime, këtu jemi në një vend përshembull që kemi bërë një gabim të madh, por që kanë aftësinë të reflektojnë dhe kanë aftësi ti bëjnë gjërat që thonë, dhe me njerëz që nuk kanë aftësi të kujtojnë as çfarë flasin vetë, jo më ti thonë të tjerëve ndonjë gjë të hairit, lërë më pastaj, të bëjnë ndonjë gjë të hairit për të tjerët.

Dhe jam i bindur që s’ka demokrat, nuk ka njeri që i thotë punës-punë dhe që i thotë atdheut-atdhe, ti besojë votën, ti besojë qytetin, ti besojë vendin jo e jo, një partie që ka vetëm një mënyrë për ta ndihur që të shpëtojë: duhet çu në fund fare, duhet çu aty ku s’ka më shans të thotë që shih sa mirë që jam. Më vjen shumë mirë që ta mbyll duke thënë dhe duke ia u thënë të gjithëve, mbajeni mend mirë… tani kam hall se po përsëris shumë dhe do na ikin fare nga zgjedhjet ata. Po unë besoj se ata do thonë ‘nuk hyjmë, nuk hyjmë, nuk hyjmë’, do hyjnë dhe në fund siç hyjnë gjithmonë dhe pastaj do dalin më keq se ç’kanë dalë çdo herë tjerët”, tha Rama

Rama sfidon Bashen nga Hasi: Opozita nuk na mund dot kurrë. Ajo që bëjnë ata s’është as në Kanun Read More »

Tahiri bën 39 vjeç dhe ndan një mesazh me ndjekësit: Në fund të ditës, veç për kaq është gjithmonë…/Video

Sot ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka bërë plot 39 vjeç. Ai ka zgjedhur që përmes një postimi në Facebook, të falënderojë miqtë dhe të afërmit për urimet e tyre me një video, ku shfaqet monologu i aktorit të njohur italian, Roberto Benigni, për lumturinë. “Në fund të ditës, veç për kaq është gjithmonë! Ju falenderoj pafund të gjithëve”, shkruan Tahiri në komentin që shoqëron videon.

Mesazhi për lumturinë nga aktori Roberto Benigni publikuar nga Tahiri: “Lumtura, po lumtura, meqë ra fjala për lumturinë, kërkojeni çdo ditë, vazhdimisht. Në fakt, kushdo që më dëgjon tani të vihet në kërkim të lumturisë. Tani, në këtë moment, sepse është aty, e keni. E kemi sepse, na është dhënë të gjithëve, na është dhënë kur kemi qenë të vegjël, na e kanë dhënë si një dhuratë. Ishte një dhuratë aq e bukur sa e fshehëm, siç bëjnë qentë me kockën kur e fshehin. Disa prej nesh e kanë fshehur aq mirë sa nuk e mbajnë mend se ku e kanë fshehur, por e kemi.

E keni. Shikoni në çdo qoshe, në thellësinë e shpirtit tuaj. Hidhni çdo gjë në ajër, sirtaret, komodinat dhe çfarë keni brenda në to, do ta shihni që ajo do të dalë. Provoni të hidhni kutitë, veshjet, shtatin, ajo ndodhet aty. Duhet të mendojmë gjithmonë për lumturinë edhe pse ajo ndonjëherë na harron ne. Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë atë, deri në ditën e fundit të jetës sonë”.

https://www.facebook.com/saimir.tahiri/videos/10218163513579699/?t=0

Tahiri bën 39 vjeç dhe ndan një mesazh me ndjekësit: Në fund të ditës, veç për kaq është gjithmonë…/Video Read More »

Deputetja e Agimit të Artë e propozon, por Parlamenti grek refuzon nderimin për Kaçifan

Masa të rrepta sigurie dhe survejim i plotë është vendosur për ambasadën shqiptare në Athinë, por edhe për objekte që lidhen me shtetas shqiptarë. Frika e incidenteve, si ai i të martës në mëngjes ku zyrat e një agjencie turistike shqiptare u sulmuan me bomba molotov nga persona të maskuar, vijon të jetë prezent. Sulmi dyshohet se ka lidhje me ngjarjen e Bularatit ku mbeti i vrarë Kostandin Kaçifa, për të cilin u mbajtën homazhe nga rinia e Vorio Epirit dhe Agimi i Artë. Një deputete e kësaj partie kërkoi nga Parlamenti të mbajë 1 minutë heshtje në nderim të 35-vjeçarit, por drejtuesi i seancës e shpërfilli propozimin.

“Para se të fillojë diskutimi për rendin e ditës dhe për shkak se në Vorio Epir u vra paburrërisht nga një regjim që përndjek helenizmin vetëm sepse donte që në përvjetorin e 28 Tetorit të valëviste flamurin grek do kërkoja të mbahej 1 minutë heshtje në Parlament në kujtim të 35-vjeçarit Konstandin Kaçifa”, u shpreh deputetja e Agimit të Artë. “Nuk mendoj se ka ndonjë kundërshti që kujtimi i atij njeriu të nderohet, por mbajtjen e 1 minutë heshtje nuk e parashikon rregullorja, sepse nuk ka një vendim të marrë nga kryetarët e grupeve për këtë gjë“, tha kreu i Parlamentit.

Përplasje mes pati edhe në komisionet parlamentare, ku sërish deputetët të Agimit të Artë kërkuan që të mos bëhet asnjë diskutim tjetër por të nderohet i riu që u vra për flamurin, por kjo u kundërshtua fort nga kryetarja e komisionit që i përket shumicës parlamentare ne pushtet. Zv/ministri i Jashtëm grek Jorgos Katrugalos bëri thirrje për shmangien e deklaratave të parakohshme, ndërsa kërkoi që policitë e dy vendeve të angazhohen për të zbardhur ngjarjen në rrugë ligjore.

Deputetja e Agimit të Artë e propozon, por Parlamenti grek refuzon nderimin për Kaçifan Read More »

Protesta shqiptarëve para Parlamentit grek. Gazetarja: Këtë mbrëmje mund të presim gjithçka

Duket se tensionet në shtetin grek pas ngjarjes së ndodhur në Bularat janë rritur. Në një lidhje direkte në emisionin “Dritare me Rudinën” gazetarja e News 24, Ira Londo ka raportuar nga Athina për situatën atje pas vrasjes së Konstandinos Kocifas, të dielën në Gjirokastër.

Ajo ka thënë se në këto momente po mbahet në protestë anti-shqiptare në Athinë, me thirrje të forta raciste. “Ata kanë dalë në orën 19:30, rreth 200 persona me grupe minoritare dhe ndoshta edhe organizata ekstremiste. Thirrja është bërë nga media elektronike. Janë mbledhur para parlamentit. Ka pasur thirrje maft të rënda anti-shqiptare, thirrje raciste. Është tejkaluar në median greke çdo lloj etike, dhe këtë mbrëmje mund të presim gjithçka”, tha gazetarja

Protesta shqiptarëve para Parlamentit grek. Gazetarja: Këtë mbrëmje mund të presim gjithçka Read More »

Hajdutë kishash e xhamiash

Natën e kaluar u vodh Kisha Françeska dhe pas kësaj ngjarje policia arrestoi autorin Kristian Arra, 26 vjeç. Nderkohe mesohet se pak kohë më parë në Shkodër sipas burimeve është vjedhur edhe xhamia e Parrucës. Tashmë xhamitë dhe kishat po kthehen në të ‘preferuarat’ e hajdutëve.

Kështu nëse në Kishën Françeskane autori s’ka vjedhur më shumë se 7 mijë lekë të vjetër, në xhaminë e Parrucës raportohet se janë vjedhur afro 1 milion e gjysëm lekë të vjetër. Patjetër që edhe ky është një rast i rëndë sepse besimtarët i japin paratë e tyre në kisha dhe xhamia për të varfërit ose si kontribut për klerin.

Duke ditur se në arkat për hedhjen e lëmoshës hidhen para hajdutët tashmë po shtojnë aksionet e tyre keqbërëse në objektet e kultit. Kujtomë që pak kohë më parë pre e vjedhjes ka rënë edhe xhamia e Mjedës ndërsa po ashtu ka patur edhe raste të tjera në kisha dhe xhamia. Përshembull para 6 vitesh sërish Kisha Françeskane është vjedhur ndërsa që nga ajo kohë rastet e vjedhjeve në objektet e kultit janë shtuar ndjeshëm ndërsa policia në disa raste ka arritur të arrestojë autorët ndërsa në disa raste të tjera ia kanë dalë paq./ShkodraNews

Hajdutë kishash e xhamiash Read More »