Policia dhe prokuroria e Shkodrës po presin ardhjen e tabulateve telefonike për të parë se cilat janë telefonatat e kohëve të fundit të shtetasve Gëzim Hysaj, banues në Postribë të Shkodrës dhe Agron Mollaj, banues në fshatin Dobraç.
Këta dy persona që nga mbrëmja e 23 gushtit rezultojnë të zhdukur. Familjarët e tyre kanë bërë denoncim në polici disa orë pasi dajë e nip nuk janë kthyer në banesë. Dy bashkëshortet e të dy personave të zhdukur kanë bërë denoncim në polici, duke treguar gjithçka që dinë. Deri në këto momente nuk ka asnjë pistë për zhdukjen e tyre.
Familjarët por edhe policia pas 10 ditësh nga zhdukja e tyre nuk kanë asnjë lloj informacioni se ku mund të ndodhen shtetasit Gëzim Hysaj dhe Agron Mollaj apo se çfarë mund të ketë ndodhur me ta.
Pavarësisht hetimeve dhe kërkimeve të policisë nuk është arritur të zbulohen gjurmët e tyre. Familjarët vijojnë të jenë të alarmuar dhe kërkojnë gjetjen e tyre.